Meta ka njoftuar masa të reja për të rritur sigurinë e adoleshentëve në platformat e saj, duke ndaluar të miturit nën 16 vjeç të përdorin funksionin “Live” në Instagram, përveç rasteve kur kanë leje nga prindërit. Po ashtu, ata do të kenë nevojë për aprovimin e prindërve për të çaktivizuar funksionin që mjegullon imazhet që përmbajnë nudizëm të dyshuar në mesazhet direkte.
Sipas Guardian, këto masa vijnë në kuadër të zgjerimit të sistemit të “llogarive për adoleshentët” të Instagramit, tashmë edhe në Facebook dhe Messenger. Ky sistem, i prezantuar fillimisht vitin e kaluar për Instagram, përfshin mundësinë që prindërit të vendosin kufij kohorë ditorë për përdorimin e aplikacionit, të bllokojnë qasjen gjatë orëve të caktuara dhe të monitorojnë kontaktet me të cilat fëmijët e tyre komunikojnë.
Llogaritë për adoleshentët në Facebook dhe Messenger do të fillojnë të aplikohen fillimisht në SHBA, MB, Australi dhe Kanada. Si në Instagram, edhe këtu përdoruesit nën 16 vjeç do të kenë nevojë për leje prindërore për të ndryshuar cilësimet, ndërsa ata që janë 16 ose 17 vjeç do të kenë mundësi t’i menaxhojnë vetë.
Meta njoftoi se mbi 54 milionë përdorues nën 18 vjeç përdorin tashmë llogari adoleshentësh në Instagram, dhe më shumë se 90% e përdoruesve të moshës 13 deri në 15 vjeç i kanë lënë të aktivizuara kufizimet e parazgjedhura.
Organizata e mbrojtjes së fëmijëve NSPCC përshëndeti zgjerimin e këtyre masave në Facebook dhe Messenger, por kërkoi që Meta të bëjë më shumë për të parandaluar përhapjen e përmbajtjeve të dëmshme në platformat e saj. “Për këto masa të jenë vërtet efektive, duhet të shoqërohen me masa proaktive për të parandaluar përhapjen e përmbajtjeve të rrezikshme në Instagram, Facebook dhe Messenger”, tha Matthew Sowemimo, drejtues në politikën për sigurinë e fëmijëve online në NSPCC.
Njoftimi vjen në një kohë kur Mbretëria e Bashkuar po zbaton ligjin e ri për sigurinë online, i cili detyron platformat digjitale që të parandalojnë apo të largojnë përmbajtje të paligjshme si abuzimi seksual me fëmijë, mashtrimet dhe përmbajtjet terroriste. Ligji gjithashtu kërkon mbrojtjen e të miturve nga përmbajtje të dëmshme si ato që lidhen me vetëvrasje apo vetëlëndime.
Ish-presidenti i çështjeve globale në Meta, Nick Clegg, kishte deklaruar më herët se qëllimi i këtyre masave është të “zhvendosin balancën në favor të prindërve”, për të lehtësuar përdorimin e kontrolleve prindërore — veçanërisht pasi shumica e tyre nuk i përdorin masat ekzistuese të sigurisë.