Nis stërvitja “Flood North Albania”, Shqipëria dhe 13 partnerë testojnë forcat e mbrojtjes civile në rast përmbytje


Sot, në qytetin Shkodrës fillon stërvitja “Flood North Albania”, e cila do të zgjasë deri me datë 11 Prill, 2025. Një stërvitje e 13 partnerëve që vijnë nga rajoni i Ballkanit, por jo vetëm.

Kjo stërvitje ka si objektiv të testojë përgatitjen e forcave të mbrojtjes civile në rast përmbytjesh, gatishmërinë e institucioneve vendase si dhe koordinimin mes vendit pritës dhe ndihmës që vjen nga vendet e tjera.

Ky projekt është financuar nga DG ECHO, Bashkimi Europian dhe ka filluar që në Janar të vitit 2024 dhe përfundon në Dhjetor 2025. Lider i këtij projekti është Agjencia Kombetare e Mbrotjes Civile të Shqipërisë dhe në këtë partneritet janë përfshirë, përvec Shqipërisë edhe Mali i Zi, Kosova, Greqia, Italia, Qipro, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria.

Në 4 ditët e organizimit të stërvitjes, do të  zhvillohen skenarë të ndryshëm dhe forcat që marrin pjesë në të do të stimulojnë ngjarje të vërteta ku ata i vijnë në ndihmë popullsisë në zonat e përmbytura.

Gjatë këtyre stimulimeve, përveç forcave zjarrëfikëse të përfshira nga vendet partnere, janë përfshirë edhe forcat e ndërhyrjes së shpejtë të Shkodrës, forcat e armatosura të Republikës së Shqipërisë, forcat e Policisë së Rendit, Kryqi i Kuq, Urgjenca Mjeksore, si dhe forca vullnetare.

Që nga Korriku i vitit 2023, Shqipëria është pjesë me të drejta të plota në Mekanizmin Europian të Mbrotjes Civile. Në këtë Mekanizëm janë të përfshira pjesa më e madhe e vendeve të kontinentit dhe në raste të emergjencave civile anëtarët e tij japin ndihmë të menjëhershme.

Në këtë kuadër, edhe Shqipëria ka dhënë ndihmë me dërgimin e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë në termetin e ndodhur në Turqi në fund të 2022, si dhe dërgimin e zjarrëfikësve në zjarret masive që përfshinë disa zona në Greqi, përgjatë verës së vitit 2023.