Osmani në takim me delegacionin francez: Serbia ka tendenca për destabilizim të Kosovës dhe gjithë rajonit


Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Francës ndaj Kosovës, që nga shpallja e pavarësisë e deri te bashkëpunimi i afërt për avancimin e synimeve euroatlantike të vendit. Ajo e bëri këtë gjatë një takimi me delegacionin e deputetëve të Asamblesë Kombëtare të Francës.

Gjatë bisedës, Presidentja Osmani u ndal edhe te përpjekjet destabilizuese të Serbisë, duke theksuar se këto janë veprime të qëllimshme dhe të koordinuara, me qëllim minimin e sigurisë dhe paqes në Kosovë dhe më gjerë në rajon. Ajo përmendi sulmin e armatosur në Banjskë, plagosjen e ushtarëve të KFOR-it nga grupet kriminale serbe dhe aktet e tjera të cilësuara si sulme terroriste, të cilat, sipas saj, dirigjohen dhe mbështeten nga Beogradi zyrtar.

Në këtë kontekst, Presidentja theksoi mungesën e vullnetit nga ana e Serbisë për të zbatuar marrëveshjet e dakorduara në kuadër të dialogut, duke e cilësuar këtë si një pengesë serioze për përparimin e dialogut dhe konsolidimin e stabilitetit afatgjatë në rajon.

Presidentja Osmani shtoi se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës mbetet një prioritet kyç, pasi paraqet një hap vendimtar për avancimin e të drejtave të njeriut dhe forcimin e standardeve demokratike për të gjithë qytetarët, pa dallim. Ajo theksoi rëndësinë e mbështetjes së Francës në këtë proces.

Në përmbyllje, Osmani rikonfirmoi angazhimin e palëkundur të Kosovës për të qëndruar në anën e vlerave euroatlantike, duke theksuar se bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë do të mbetet thelbësor për ndërtimin e një të ardhmeje të qëndrueshme dhe paqësore për të gjithë qytetarët e vendit.