Pekini ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të nënpresidentit amerikan, JD Vance, i cili në një intervistë në mbrojtje të tarifave të Donald Trump-it përmendi “fshatarët kinezë”, duke i cilësuar ata si burim të mallrave të konsumit për amerikanët.
Gjatë një interviste për Fox News javën e kaluar, Vance tha: “Çfarë i ka sjellë ekonomia globaliste Shteteve të Bashkuara të Amerikës? Përgjigjja është, në thelb, e bazuar në dy parime – marrja e borxheve të mëdha për të blerë gjëra që vende të tjera i prodhojnë për ne.”
Ai shtoi: “Për ta bërë më të qartë: ne marrim borxh nga fshatarët kinezë për të blerë gjërat që ata vetë i prodhojnë. Kjo nuk është një recetë për prosperitet ekonomik, nuk është një recetë për çmime të ulëta dhe as për vende të mira pune në Shtetet e Bashkuara.”
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Lin Jian, u pyet të martën për këtë deklaratë dhe reagoi ashpër: “Është njëkohësisht befasuese dhe për të ardhur keq të dëgjosh një nënpresident të shprehet me kaq injorancë dhe mungesë respekti.”
Ministria shtoi: “Presioni, kërcënimet dhe shantazhi nuk janë mënyra e duhur për të bashkëpunuar me Kinën.”
Komentet e Vance ngjallën reagime të forta në rrjetet sociale kineze.
Kjo përplasje vjen në kulmin e një tensioni në rritje tregtar midis SHBA-së dhe Kinës.
Pekini ka deklaruar se do të “luftojë deri në fund” nëse Uashingtoni vazhdon me përshkallëzimin e luftës tregtare, pas kërcënimeve të Trump për të vendosur tarifa shtesë prej 50% ndaj mallrave kineze nëse Kina nuk tërhiqet nga tarifa reciproke 34% ndaj mallrave amerikane.
Në rrjetin e tij social Truth Social, Trump shkroi: “Nëse Kina nuk tërheq rritjen 34% të tarifës mbi bazën e abuzimeve të tyre afatgjata tregtare deri nesër, më 8 prill 2025, Shtetet e Bashkuara do të vendosin tarifa shtesë prej 50% ndaj Kinës, të vlefshme nga 9 prilli.”
Këto tarifa janë vetëm një ndër shumë të tjera që administrata Trump ka vendosur ndaj partnerëve tregtarë në të gjithë botën, duke shkaktuar humbje të ndjeshme në tregjet financiare ndërkombëtare.