Një ngjarje e rëndë ka tronditur kryeqytetin Santo Domingo të Republikës Domenikane, ku të paktën 27 persona kanë humbur jetën dhe rreth 160 të tjerë janë plagosur, pasi çatia e klubit të natës “Jet Set” u shemb në orët e para të mëngjesit të sotëm.
Sipas drejtorit të Qendrës për Operacione Emergjente (COE), Juan Manuel Mendes, operacionet e kërkim-shpëtimit po vijojnë me intensitet, ndërsa ekziston dyshimi se ende ka persona të mbetur nën rrënoja.
“Besojmë se shumë prej tyre janë ende gjallë. Prandaj, ekipet tona nuk do të ndalen derisa të jemi të sigurt që askush nuk ka mbetur nën rrënoja,” tha Mendes për Associated Press.
Në mesin e viktimave është konfirmuar edhe Nelsy Cruz, guvernatore e provincës veriperëndimore Montecristi. Ndër të plagosurit raportohet të jenë ish-lojtari i njohur i bejsbollit Octavio Dotel, deputeti Bray Vargas dhe këngëtarja e njohur Ruby Perez, e cila ishte në skenë kur ndodhi fatkeqësia.
Menaxheri i Perezit, Enrique Paulino, deklaroi për mediat se koncerti kishte nisur pak para mesnatës, ndërsa çatia u shemb rreth një orë më vonë, duke vrarë për fat të keq saksofonistin e grupit muzikor.
Policia Kombëtare konfirmoi më herët se janë shpëtuar 46 persona, të cilëve u është dhënë ndihma mjekësore në vendngjarje.
Klubi “Jet Set” ishte i njohur për mbrëmjet festive të së hënës, që shpesh frekuentoheshin nga të famshëm vendas dhe ishte mbushur me qindra të pranishëm gjatë koncertit të këngëtares Ruby Perez.
Në vendngjarje janë angazhuar dhjetëra ambulanca dhe njësi emergjente, përfshirë Policinë Kombëtare, zjarrfikësit, Mbrojtjen Civile dhe Ministrinë e Mbrojtjes. Hetimet për shkakun e shembjes së çatisë janë në zhvillim, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se numri i viktimave mund të rritet, pasi nuk dihet saktësisht sa persona janë ende të bllokuar nën rrënoja.