SHBA goditet nga stuhi të fuqishme, 22 viktima nga përmbytjet


Të paktën 22 persona kanë humbur jetën si pasojë e përmbytjeve të vrullshme dhe tornadove që përfshinë disa shtete në pjesën perëndimore dhe jugore të Shteteve të Bashkuara gjatë fundjavës, kanë konfirmuar zyrtarët amerikanë.

Gati gjysma e viktimave të raportuara, mes të cilëve kishte edhe fëmijë e të moshuar, u shënuan në shtetin e Tenesit, ndërsa tre humbje jete janë konfirmuar në Mizuri. Viktima janë regjistruar gjithashtu në Kentaki, Indiana, Misisipi, Xhorxhia dhe Arkansas.

Moti i egër ka shkaktuar fryrje të lumenjve në disa rajone dhe Shërbimi Kombëtar i Motit ka paralajmëruar se dhjetëra zona pritet të preken nga përmbytje të mëdha, edhe pse intensiteti i reshjeve po bie gradualisht.

Të hënën, rreth nëntë milionë qytetarë amerikanë ishin ende nën vëzhgim për përmbytje, raportojnë mediat vendase.

Në Kentaki, një djalë nëntëvjeçar humbi jetën pasi u përfshi nga përmbytjet ndërsa ishte rrugës për në stacionin e autobusit të shkollës. Trupi i tij u gjet dy orë më vonë nga ekipet e kërkim-shpëtimit.

Në Misuri, Chevy Gall, një zjarrfikës vullnetar vetëm 16 vjeç, humbi jetën në një aksident ndërsa përpiqej të ndihmonte banorët e bllokuar nga stuhia. “Chevy vdiq duke iu përgjigjur thirrjes për të ndihmuar të tjerët,” tha me dhimbje shefi i zjarrfikësve lokal, Terry Feth. “I gjithë departamenti është i pikëlluar ndërsa ndajnë dhimbjen me familjen dhe kolegët e tij.”

Në Little Rock, Arkansas, një djalë pesëvjeçar humbi jetën tragjikisht kur një pemë ra mbi shtëpinë e tij, duke e shkatërruar plotësisht banesën.

Në një tjetër ngjarje të dhimbshme në Gjeorgji, një baba dhe biri i tij u vranë të dielën teksa luanin golf. Sipas autoriteteve, Matthew Terrell Collins Sr, 58 vjeç, dhe djali i tij Matthew Terrell Collins Jr, 29 vjeç, humbën jetën kur një pemë u rrëzua mbi karrocën e tyre të golfit.

Një fushatë mbështetëse në internet për familjen Collins thekson: “Ata po kalonin kohë së bashku kur goditi stuhia – duke ndarë një moment të fundit midis babait dhe djalit.”

Stuhitë kanë tronditur komunitetet lokale dhe kanë vënë në alarm autoritetet përballë kushteve ekstreme të motit që vijojnë të kërcënojnë rajone të tëra./BBC