Të paktën 44 persona kanë humbur jetën dhe rreth 160 të tjerë janë plagosur në kryeqytetin e Republikës Domenikane, Santo Domingo, pasi çatia e një klubi nate u shemb gjatë një koncerti merengue ku po merrnin pjesë politikanë, sportistë dhe qytetarë të tjerë, njoftuan autoritetet të martën në mëngjes, raporton Guardian.
Ekipet e shpëtimit po vazhdojnë kërkimet për të mbijetuarit nën rrënojat e klubit njëkatësh “Jet Set”, tha drejtori i Qendrës për Operacione Emergjente, Juan Manuel Méndez.
“Ne supozojmë se shumë prej tyre janë ende gjallë, prandaj nuk do të ndalojmë derisa çdo person të nxirret nga rrënojat,” deklaroi ai.
Afro 12 orë pas shembjes, ekipet e shpëtimit vijonin të nxirrnin të mbijetuar, ndërsa zjarrrfikësit përdornin mjete për të ngritur mbeturinat e rënda dhe për të çarë strukturat e betonit.
Ndër viktimat është edhe guvernatorja e provincës Montecristi, Nelsy Cruz, motra e yllit të bejsbollit në Major League, Nelson Cruz. Ajo kishte telefonuar presidentin Luis Abinader në orën 00:49 duke njoftuar se ishte e bllokuar nën rrënoja. Më pas, ajo ndërroi jetë në spital, bëri të ditur zonja e parë, Raquel Arbaje.
“Ishte një tragjedi e madhe,” tha Arbaje me zë të thyer.
Gjithashtu, Liga Profesionale e Bejsbollit të Republikës Domenikane njoftoi vdekjen e lojtarit të njohur të MLB-së, Octavio Dotel, i cili ishte mes të pranishmëve në koncert. Ai u nxor fillimisht nga rrënojat dhe u dërgua në spital, por nuk i mbijetoi plagëve.
Ndër të plagosurit janë edhe deputeti Bray Vargas dhe këngëtari i njohur i merengues, Rubby Pérez, i cili po performonte në momentin e shembjes. Menaxheri i tij, Enrique Paulino, me këmishën e njollosur nga gjaku, tha se koncerti kishte filluar rreth mesnatës dhe se çatia u shemb afërsisht një orë më pas, duke shkaktuar vdekjen e saksofonistit të grupit.
“Ndodhi kaq shpejt. Unë thjesht u hodha në një cep,” tha ai, duke shtuar se fillimisht mendoi se ishte tërmet.
Shkaku i shembjes nuk është ende i qartë, ndërsa klubi “Jet Set” ka bërë të ditur se po bashkëpunon me autoritetet dhe se “humbja e jetëve njerëzore na ka lënë të tronditur dhe në dhimbje të thellë.”
Në vendngjarje, dhjetëra qytetarë prisnin me ankth për lajme nga të afërmit e tyre. Ndër ta ishte Manuel Olivo Ortiz, i cili tha se djali i tij kishte qenë në koncert por nuk ishte kthyer në shtëpi. “Po mbahemi vetëm me shpresë te Zoti,” tha ai.
Presidenti Abinader vizitoi vendin e tragjedisë dhe përqafoi të afërmit e viktimave, duke shprehur mbështetje dhe premtuar angazhim maksimal për shpëtimin e çdo personi që mund të jetë ende gjallë. Ai tha se të gjitha agjencitë e emergjencës po punojnë pa pushim.
“Po e ndjekim situatën minutë pas minute. Jemi të pikëlluar thellë për këtë tragjedi,” shkroi ai në rrjetin X.
Ndërkohë, pranë klubit dhe spitaleve, zyrtarët lexonin me zë emrat e të mbijetuarve, ndërsa dhjetëra njerëz prisnin të dëgjonin për të dashurit e tyre. Në Institutin Kombëtar të Mjekësisë Ligjore, ishin projektuar imazhet e viktimave për t’u identifikuar nga familjarët.