Trump: SHBA në bisedime të drejtpërdrejta bërthamore me Iranin


Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara dhe Irani do të zhvillojnë “bisedime të drejtpërdrejta” të shtunën për një marrëveshje të mundshme bërthamore, përcjell BBC.

Takimi është konfirmuar gjithashtu nga ministri i Jashtëm i Iranit, i cili theksoi se bisedimet do të jenë “të tërthorta”, por mund të përfaqësojnë “një mundësi po aq sa një provë”.

Trump i cili gjatë presidencës së tij të parë tërhoqi në mënyrë të njëanshme SHBA-në nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 me Iranin, tha se bisedimet do të zhvillohen “në një nivel shumë të lartë”.

Ai paralajmëroi se nëse nuk arrihet një marrëveshje, do të jetë “një ditë shumë e keqe për Iranin.”

Muajin e kaluar, Trump ngriti mundësinë e një veprimi ushtarak kundër Iranit, pasi udhëheqësi suprem iranian, Ayatollah Ali Khamenei, refuzoi publikisht ofertën për bisedime të drejtpërdrejta.

Presidenti amerikan zbuloi zhvillimin e bisedimeve pas një takimi në Shtëpinë e Bardhë me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, i cili gjithashtu ka përmendur më herët mundësinë e një sulmi ndaj Iranit për ta ndaluar atë nga sigurimi i armëve bërthamore.

Duke folur nga Zyra Ovale, Trump tha: “Kemi një takim shumë të rëndësishëm të shtunën [me Iranin], dhe po merremi me ta drejtpërdrejt… Dhe ndoshta do të arrihet një marrëveshje – do të ishte fantastike.”

Më pas, ai shtoi: “Irani nuk mund të ketë armë bërthamore, dhe nëse bisedimet nuk janë të suksesshme, mendoj se do të jetë një ditë shumë e keqe për Iranin.”

Trump nuk dha detaje të mëtejshme për takimin, përfshirë progresin e bisedimeve apo zyrtarët e përfshirë.

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, konfirmoi se takimi me SHBA-në do të zhvillohet në Oman më 12 prill. Ai shkroi në platformën X: “Është po aq një mundësi sa edhe një provë. Tani topi është në fushën e Amerikës.”

Në mars, Trump i kishte dërguar një letër udhëheqësit suprem iranian përmes një ndërmjetësi nga Emiratet e Bashkuara Arabe, duke shprehur gatishmërinë për negociata. Megjithëse oferta u refuzua, udhëheqja iraniane sinjalizoi hapjen për bisedime përmes një pale të tretë.

Shkurajimi i aftësive të Iranit për të ndërtuar armë bërthamore ka qenë një objektiv kyç i politikës së jashtme të SHBA-së dhe aleatëve të saj prej dekadash.

Në vitin 2015, ish-presidenti Barack Obama arriti një marrëveshje me Iranin, sipas së cilës ky i fundit do të kufizonte aktivitetet bërthamore dhe do të lejonte inspektorë ndërkombëtarë të monitoronin objektet për t’u siguruar se ato po përdoreshin vetëm për qëllime civile. Në këmbim, Irani do të përfitonte lehtësime nga sanksionet ekonomike që e kishin dëmtuar rëndë ekonominë e tij.

Kjo marrëveshje u nënshkrua gjithashtu nga Kina, Franca, Gjermania, Rusia dhe Mbretëria e Bashkuar.

Por në vitin 2018, Trump e tërhoqi në mënyrë të njëanshme SHBA-në nga marrëveshja, të cilën e kishte kritikuar ashpër gjatë fushatës së tij presidenciale.

Në vitet që pasuan, Irani filloi ta shkelte gjithnjë e më shumë marrëveshjen. Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike ka paralajmëruar se Teherani ka krijuar rezerva të mëdha uraniumi të pasuruar, që mund të përdoret për ndërtimin e bombave bërthamore.

Në muajt e fundit, Trump ka përsëritur vazhdimisht gatishmërinë për të negociuar një marrëveshje të re me Iranin, duke kërcënuar njëkohësisht me veprime ushtarake nëse nuk arrihet marrëveshja.

Izraeli e sheh si jetike për sigurinë e tij afatgjatë ndalimin e Iranit për të prodhuar armë bërthamore. Raportimet tregojnë se Izraeli ka shqyrtuar seriozisht mundësinë e goditjes së objekteve bërthamore iraniane në muajt e fundit. Vitin e kaluar, Izraeli tha se kishte goditur një qendër bërthamore iraniane si hakmarrje për një sulm me raketa nga Irani.

Duke folur nga Shtëpia e Bardhë, Netanyahu tha: “Ne dhe Shtetet e Bashkuara jemi të bashkuar në qëllimin që Irani të mos ketë kurrë armë bërthamore. Nëse kjo mund të arrihet në mënyrë diplomatike dhe të plotë, siç ndodhi në Libi, atëherë kjo do të ishte diçka shumë e mirë.”