Vala vdekjeprurëse nga kartelet e kokainës fut në kaos Ekuadorin


Në një zonë të rrënuar të qytetit më të dhunshëm të Ekuadorit, një duzinë oficerësh policie me jelekë antiplumb depërtuan derën e një shtëpie njëkatëshe.

Me pistoletat në duar, policët urdhëruan gjashtë të rinjtë që ndodheshin brenda që të shtriheshin me fytyrë përtokë ndërsa kontrollonin pronën e rrënuar, duke gjetur një qese me marihuanë me vlerë rreth 300 dollarë në frigorifer dhe një pistoletë jo-vdekjeprurëse aty pranë.

“Është shumë pak,” tha kapiteni i policisë, duke u dukur dukshëm i zhgënjyer për operacionin.

Bastisje të tilla kanë ndodhur pothuajse çdo natë që nga janari 2024, kur presidenti Daniel Noboa deklaroi se vendi i tij ishte në një “luftë të armatosur të brendshme” pas një serie sulmesh të armatosura nga kartelet që përfshinë marrjen peng të një stacioni televiziv nga persona të armatosur e të maskuar drejtpërdrejt në transmetim.

Ndërsa dhuna rritet dhe ekonomia vuan, përpjekjet e lëkundura të Noboas për të trajtuar krizën e sigurisë janë bërë çështja qendrore përpara balotazhit zgjedhor më 13 prill.

Policia bastis një shtëpi njëkatëshe në Guayaquil, Ekuador

Djali 37-vjeçar i një manjati miliarder bananesh mundi me lehtësi ish-deputeten e majtë Luisa González në zgjedhjet e parakohshme në tetor 2023. Por ndërsa dy kandidatët përballen sërish, votuesit tani janë të ndarë më shumë.

“Siguria, shqetësimi kryesor për votuesit, është përkeqësuar ndjeshëm në muajt e fundit,” tha Sebastián Hurtado, drejtor i konsulencës Prófitas me bazë në Kuito.

“Sfida kryesore për Noboa është të bindë votuesit se, pas një mandati shumë të shkurtër, ai mbetet kandidati për ndryshim dhe shpresa e tyre më e mirë për përmirësimin e sigurisë.”

Gjendjet e jashtëzakonshme të shpallura fillimisht në fillim të vitit të kaluar kanë lejuar policinë të kontrollojë pronat pa urdhër, ndërsa bandat e drogës janë etiketuar si “grupe terroriste”. Më shumë se 5000 njerëz janë burgosur.

Duke marrë shembull nga presidenti tashmë i El Salvadorit, Nayib Bukele, Noboa planifikon të ndërtojë një burg të stërmadh për të strehuar numrin në rritje të të burgosurve.

Deri vonë, kjo qasje dukej se po jepte fryte. Shkalla e vrasjeve ra në 39 për 100,000 banorë në vitin 2024 nga 47 një vit më parë, duke u duk se i dha fund një cikli që e pa atë të rritet gati tetëfish gjatë gjashtë viteve.

Por këto të dhëna duket se janë zhdukur, pasi vendi pësoi janarin dhe shkurtin më shumë vrasje të regjistruara.

Guayaquil, qyteti dhe porti më i madh i Ekuadorit, ka mbajtur peshën kryesore të dhunës, ndërsa grupet ndërluftuese përpiqen për të hyrë në rrugët e transportit të kokainës nga Kolumbia dhe Peruja. Në mars, një shkëmbim zjarri midis dy karteleve la 22 të vdekur.

“Ne mund t’i heqim këta djem nga rrugët, por do ketë të tjerë që do dalin në vendin e tyre,” tha një polic ndërsa të dyshuarit u larguan me pranga pas bastisjes.

Alexandra Pérez, një shitëse në lagjen e varfër Malvinas të Guayaquil, tha se krimi ka dëmtuar shitjet, me rrugët e shkreta në mbrëmjet e hershme zakonisht të ngarkuara.

Megjithatë, Pérez do votojë për Noboan.

“Ai e ka shpërndarë ushtrinë në rrugë dhe kjo ka ndihmuar në uljen e krimit në këtë zonë,” tha ajo.

Daniel Noboa mundi me lehtësi Luisa González në zgjedhjet e parakohshme për t’u bërë president i Ekuadorit në tetor 2023

Naboa ka njoftuar një partneritet me Erik Prince, i cili themeloi kontraktorin e mbrojtjes amerikane Blackëater, për të cilin rivalja e tij Gonzalez tha se do sillte “mercenarë” në Ekuador dhe zbuloi mungesën e besimit të tij në forcat e tij të sigurisë.

González e ka portretizuar atë si një pasardhës të privilegjuar, jashtë kontaktit me shumicën e ekuadorianëve. Edhe pse u rrit në Guayaquil, Noboa lindi në Miami dhe ndoqi në një universitet amerikan. Mosmarrëveshjet publike me zëvendëspresidentin dhe ish-bashkëshorten e tij kanë çuar në akuza për mizogjini.

Babai i tij, një nga njerëzit më të pasur të Ekuadorit, kandidoi pa sukses për president pesë herë, ndërsa nëna e tij u zgjodh në Asamblenë Kombëtare në shkurt.

“Familja e tij mendon në anglisht përpara se të flasë në spanjisht,” tha një mik i vjetër i Noboas.

Edhe temperamenti i tij është vënë në pikëpyetje. Meksika ndërpreu marrëdhëniet diplomatike vitin e kaluar, pas një bastisjeje të pacipë në ambasadën e saj për të arrestuar një ish-zëvendëspresident të arratisur.

Noboa më vonë vendosi një tarifë 27 për qind për importet meksikane në një përpjekje të dukshme për të kënaqur Presidentin e SHBA-së Donald Trump. Por zëvendësministri i Tregtisë Andrés Robalino tha për Financial Times se tarifat ishin hequr pas këshillimit me ekonomistët.

Pavarësisht se goditja e tij ndaj krimit fitoi mbështetjen fillestare, Noboa u sulmua kur mbetjet e djegura të katër fëmijëve nga Malvinas u zbuluan në dhjetor bashkë me 16 ushtarët e akuzuar për zhdukjen e tyre me forcë.

Ronny Medina, babai i Steven Medina – më i riu nga djemtë në moshën 11-vjeçare – tha se ai po mbështeste González.

“Njerëz të varfër si ne, ne jemi të pakuptimtë për Noboan,” tha Medina në shtëpinë e tij të varfër në Malvinas, me një portret të djalit të tij të vrarë në tryezën e ngrënies.

“Ai nuk na ka treguar fytyrën e tij, nuk na ka thënë asgjë.”

Ronny Medina, babai i Steven Medinës, mbetjet e djegura të të cilit u gjetën në dhjetor, thotë se ai po mbështet González

Shumë votues janë gjithashtu të mërzitur nga ndërprerjet e energjisë elektrike në mbarë vendin dhe një ekonomi me probleme.

I varur shumë nga eksportet e naftës dhe bujqësisë, Ekuador ka parashikimet më të ulëta të rritjes në Amerikën e Jugut këtë vit, pasi PBB-ja tremujore ra në secilin nga tre tremujorët e parë të 2024. Noboa siguroi një kredi prej 4 miliardë dollarësh nga FMN vitin e kaluar për të mbrojtur sigurimet shoqërore dhe stabilitetin fiskal.

Noboa, atëherë një personazh i panjohur, mundi lehtësisht González kur presidenti i atëhershëm Guillermo Lasso shpërndau parlamentin 18 muaj më herët për të shmangur shkarkimin. Rrëshqitja e Ekuadorit te dhuna u përforcua kur kandidati kundër korrupsionit Fernando Villavicencio u vra ndërsa po largohej nga një takim fushate.

González njihet më së miri si një aleate e ngushtë e ish-presidentit majtist Rafael Correa, një nacionalist i zjarrtë me një brez autoritar, dekadat e të cilit në detyrë panë shpenzime të mëdha sociale të financuara nga kreditë kineze. Correa jeton në mërgim të vetëimponuar në Belgjikë për të shmangur burgun për akuzat për korrupsion.

Familja dhe miqtë e katër fëmijëve nga Malvanis mbajnë një vigjilje në Guayaquil

Hija e tij megjithatë duket mbi fushatën.

Bashkëpunëtori i González-it, Diego Borja, i cili ishte ministër i Financave i Correas, tha se Correa mbeti “udhëheqës i padiskutueshëm” i partisë së tyre, por këmbënguli se çështja e tij duhet të dilte para gjykatës.

“Ai nuk ka kërkuar falje dhe as Luisa nuk do e kërkojë një të tillë”, tha Borja.

Gara këtë herë është shumë më e ngushtë, me Noboa që fitoi raundin e parë me më pak se 17,000 vota. González është tani kryesuese e ngushtë me 51.4 për qind synim për votim, përpara 48.6 për qind të Noboas, tha sondazhi Negocios dhe Estrategias të hënën.

“Nëse ka një fjalë që mund t’i përmbledhë këto zgjedhje, është ‘pasiguria’,” tha Mario Cuvi nga universiteti Ecotec në Guayaquil.

“Zgjedhjet janë kthyer në një llotari, një zgjedhje mes pasioneve dhe urrejtjes, por me shumë pak propozim politikash.”

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e FT

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani