Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka pranuar për herë të parë publikisht se trupat ukrainase ndodhen në territorin rus, konkretisht në rajonin e Belgorodit, që kufizohet me Ukrainën.
“Ne vazhdojmë të kryejmë operacione aktive në zonat kufitare në territorin e armikut, dhe kjo është plotësisht e drejtë – lufta duhet të kthehet aty ku filloi,” deklaroi ai të hënën, sipas BBC.
Komentet e Zelenskyt përfshinë gjithashtu rajonin e Kurskut, ku Ukraina ende mban nën kontroll një zonë të vogël, pas një ofensive të madhe vitin e kaluar. Moska ka rimarrë pjesën më të madhe të atij territori.
Sipas presidentit ukrainas, “qëllimi kryesor” i këtyre operacioneve është mbrojtja e rajoneve kufitare ukrainase të Sumyt dhe Kharkivit, si dhe “lehtësimi i presionit” mbi pjesë të tjera të vijës së gjatë të frontit, veçanërisht në rajonin lindor të Donetskut.
Muajin e kaluar, ushtria ruse raportoi përpjekje nga trupat ukrainase për të kaluar kufirin dhe për të hyrë në rajonin e Belgorodit, por tha se këto përpjekje ishin zmbrapsur. Zonat në fjalë ndodhen vetëm pak kilometra brenda territorit rus.
Megjithatë, disa burime jozyrtare ruse raportuan luftime në fshatin Demidovka, rreth dy kilometra nga kufiri me Ukrainën.
Presidenti rus, Vladimir Putin, e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në vitin 2022 dhe aktualisht, Moska kontrollon rreth 20% të territorit ukrainas.
Kremlini ka mohuar akuzat nga SHBA dhe Bashkimi Evropian se po zvarrit përpjekjet për një armëpushim të kërkuar nga presidenti amerikan Donald Trump.
Trump, i cili ka shprehur pakënaqësi për zhvillimet e fundit në Ukrainë, deklaroi të hënën vonë: “Nuk jam i kënaqur me atë që po ndodh”, duke akuzuar Rusinë se “po bombardon si e tërbuar.”
Në qytetin e lindjes së Zelenskyt, Kryvyi Rih, u mbajtën më herët ceremoni mortore për 20 viktima të një sulmi rus me raketa, përfshirë nëntë fëmijë.
Në fjalimin e tij të mbrëmjes, Zelensky tha se ishte informuar nga komandanti i përgjithshëm i ushtrisë, gjenerali Oleksandr Syrskyi, për situatën në front, “duke përfshirë edhe praninë tonë në rajonet Kursk dhe Belgorod.”
Ai falënderoi disa njësi të ushtrisë për përfshirjen e tyre në luftime, duke përmendur veçanërisht Regjimentin e 225-të Sulmues, i cili është i dislokuar në Belgorod.
“Bravo, djem! Jam krenar për secilin prej jush që po luftoni për Ukrainën!” tha presidenti, pa dhënë detaje të tjera.
Kjo është hera e parë që ai e pranon qartë praninë e forcave ukrainase në Belgorod.
Më 18 mars, ai kishte lënë të kuptohej një ndërhyrje atje duke thënë: “Ka një operacion atje,” kur u pyet për deklaratat e Ministrisë ruse të Mbrojtjes mbi përpjekjet ukrainase për të hyrë në rajon.
Ministria ruse kishte thënë se trupat ukrainase ishin ndalur në përpjekjet për të hyrë në fshatrat Demidovka dhe Prilesye.
Megjithatë, blogerë ushtarakë rusë raportuan për luftime në vetë Demidovkën. Edhe Instituti amerikan për Studimin e Luftës (ISW) konfirmoi më 21 mars se “forcat ukrainase kanë avancuar kohët e fundit në Belgorod.” ISW theksoi se disa burime ruse pohonin se trupat ukrainase ishin duke konsoliduar pozicione në periferi të Demidovkës dhe Prilesyes, ndonëse këto pretendime mbeteshin të pakonfirmuara.
Në dy ditët e fundit, të njëjtat burime raportuan se trupat ukrainase po tërhiqen nga zona e Demidovkës.
Operacioni ukrainas në Belgorod besohet të jetë më i kufizuar në krahasim me ofensivën në Kursk, ku forcat e Kievit kishin marrë nën kontroll disa fshatra dhe qytetin Sudzha.
Zelensky dhe komandantët e tij kanë thënë se këto ndërhyrje në territorin rus kanë detyruar Moskën të zhvendosë trupa nga rajoni i Donetskut, ku forcat ruse kanë bërë përparime të ngadalta, por të qëndrueshme.
Analistë të ndryshëm në Ukrainë dhe Perëndim kanë shprehur skepticizëm mbi dobinë strategjike të këtyre operacioneve në territorin rus, duke përmendur raportime për humbje të mëdha në personel dhe vështirësi në furnizimin me armë.
Ka gjithashtu spekulime se Ukraina mund të shpresojë të përdorë territoret e kapura në Rusi si pjesë të një shkëmbimi me rajonet ukrainase të pushtuara nga Rusia, në kuadër të negociatave të mundshme të paqes të mbështetura nga SHBA.