Berisha nga Lushnja: U ktheva se e donin Shqipërinë pa opozitë, s’kam ambicie personale


Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi një takim në Lushnjë ditën e sotme, ku prezantoi kandidatët për deputetë të kësaj partie dhe shpalosi disa nga premtimet kryesore të programit të tij elektoral.

Gjatë fjalës së tij, Berisha theksoi se rikthimi i tij në politikë ka si qëllim rikthimin e opozitës në vend, duke deklaruar se nuk ka ambicie personale dhe se interesat e tij janë krejt të tjera.

“U ktheva, sepse e pashë që kërkonin një Shqipëri pa opozitë, por Shqipëria pa opozitë ishte si ai lisi i thatë që pret shtrëngatën e parë për tu rrëzuar”, u shpreh ai.

Ai premtoi se lista e barnave të rimbursueshme do të jetë identike me atë të Italisë, duke siguruar se pensionistët do të kenë rimbursim të plotë të ilaçeve dhe analiza shëndetësore falas dy herë në vit.

“Do t’i japim fund mjerimit dhe numërimit të kafshatës. Do t’u japim kartën e konsumatorit, ku ushqimet do të blihen 20% më lirë se ata me rroga të mesme dhe të larta,” premtoi Berisha.

Berisha gjithashtu u zotua për rritjen e pagës minimale në 500 euro, duke garantuar sipërmarrësit se çdo qindarkë e shpenzuar për këtë rritje do të kompensohet përmes uljes së taksave.

Në lidhje me akuzat për keqpërdorim të fondeve publike, Berisha kritikoi ministren Belinda Balluku për një tender prej 10 mijë eurosh për larjen e makinës.

“Lubi Balluku, që po ju kërkon votën, ka bërë një tender prej 10 mijë eurosh për të pastruar makinën e saj çdo ditë. Ajo duhet të shkojë në një lavazh që nuk është më larg se 2 kilometra,” shtoi Berisha, duke akuzuar Ballukun se është pjesë e një skeme të korrupsionit, ku “paratë ndahen edhe me pronarin e lavazhit”.

 

Ai gjithashtu iu referua një deklarate të kryeministrit Edi Rama, i cili e kishte quajtur atë “buf”, duke thënë se kjo i ka dhënë një epërsi të jashtëzakonshme dhe se do të përdorë gjithë mençurinë e tij për ta larguar Ramën pas 11 majit.

Berisha përfundoi fjalën e tij duke theksuar se programi i Partisë Demokratike, i quajtur “Shqipëria Madhështore”, synon t’u japë fund mjerimit dhe të sigurojë një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët shqiptarë.