Udhëheqësit e partive kryesore në Gjermani – Unionit Kristian Demokrat (CDU), Unionit Kristian Social (CSU) dhe Partisë Socialdemokrate (SPD) kanë arritur një marrëveshje për të formuar qeverinë e re, sipas raportimeve të agjencisë gjermane të lajmeve dpa dhe mediave të tjera vendase, përcjell The Guardian.
Një konferencë për shtyp është paralajmëruar për sot në orën 15:00 (ora lokale), ku pritet që Friedrich Merz (CDU), Markus Söder (CSU) dhe Lars Klingbeil (SPD) të paraqesin publikisht rezultatet e bisedimeve.
Megjithatë, marrëveshja e arritur duhet ende të ratifikohet nga anëtarësia e SPD-së – një proces që do të zgjasë rreth dhjetë ditë, çka do të thotë se Friedrich Merz nuk pritet të zyrtarizohet si kancelari i ri i Gjermanisë para muajit maj.
Ndarja e ministrive
Sipas burimeve të para, CDU/CSU pritet të marrin ministrinë e Brendshme dhe ministrinë e Jashtme, duke marrë përgjegjësinë për çështje kyçe si kriza e migracionit dhe pozicionimi ndërkombëtar i Gjermanisë, në një kohë kur ka pasiguri të theksuar për shkak të ndryshimeve në administratën amerikane.
SPD pritet të ruajë ministrinë e Financave dhe ministrinë e Mbrojtjes, duke siguruar që ministri aktual i Mbrojtjes, Boris Pistorius, të mbetet në post në kabinetin e ri – një figurë shumë popullore në opinionin publik.
Koalicioni si përgjigje ndaj rritjes së ekstremit të djathtë
Ky zhvillim ndodh në një moment vendimtar për politikën gjermane, pasi partia e ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë (AfD), ka kryesuar për herë të parë në një sondazh federal të preferencave elektorale. AfD ka përfituar nga vakumi politik dhe pasiguria globale, duke fituar terren në opinionin publik.
Formimi i një koalicioni të gjerë mes partive tradicionale shihet si një përpjekje për të frenuar rritjen e ekstremit të djathtë dhe për të rikthyer stabilitetin politik në një nga ekonomitë më të mëdha të Evropës.
Të tjera detaje mbi përmbajtjen e marrëveshjes pritet të bëhen publike në konferencën për shtyp këtë pasdite.