Ina Zhupa akuzon PS-në për shkelje të Kodit Zgjedhor me “asfalt elektoral” në Sarandë


Demokratja Ina Zhupa ka akuzuar publikisht Partinë Socialiste për krim elektoral, duke publikuar në Facebook një rast që, sipas saj, përbën shkelje flagrante të ligjit gjatë fushatës zgjedhore në Sarandë.

Zhupa denoncon publikisht inspektimin e punimeve të rrugës në lagjet nr. 1 dhe nr. 2 të Sarandës nga drejtuesi politik i PS-së, Bledar Çuçi, dhe kryebashkiaku Oltion Çaçi, duke e cilësuar këtë veprim si një përpjekje të hapur për të përdorur fondet publike në favor të fushatës elektorale.

Ajo thekson se përdorimi i burimeve financiare apo njerëzore në favor të një partie apo kandidati gjatë zgjedhjeve përbën vepër penale sipas Kodit Penal, e dënueshme deri në tre vite burg.

“Ligji është i qartë, por nuk vepron kur bëhet fjalë për Partinë Socialiste”, shkruan Zhupa.

Sipas saj, heshtja e institucioneve si Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe SPAK përballë veprimeve të tilla tregon paaftësinë për të frenuar praktikat abuzive që dëmtojnë integritetin e procesit zgjedhor.

Në përfundim të reagimit, Zhupa u bën thirrje qytetarëve të Sarandës që më 11 maj të votojnë për Partinë Demokratike, për t’i hapur rrugë “ndryshimit të vërtetë” dhe për t’i dhënë fund keq-qeverisjes dhe abuzimeve me fondet publike.