Ministri i Jashtëm iranian ka konfirmuar se Teherani dhe Uashingtoni do zhvillojnë bisedime të tërthorta mbi programin bërthamor të Iranit në Oman të shtunën.
Dy vendet do komunikojnë nëpërmjet ndërmjetësve në vend që të përfshihen në diskutime të drejtpërdrejta ballë për ballë.
Në një intervistë me agjencinë e lajmeve Tasnim të martën, ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi tha se ai dhe i dërguari special i presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff, do udhëheqin negociatat e nivelit të lartë në Oman, shkruan Rt.
“Është sa mundësi, aq edhe provë. Topi është në fushën e Amerikës,” tha ministri i Jashtëm iranian në një postim në X të martën.
Sipas agjencisë iraniane NourNews, ministri i Jashtëm i Omanit, Badr bin Hamad bin Hamood Al-Busaidi gjithashtu do marrë pjesë në negociata.
Trump njoftoi të hënën se SHBA do zhvillojë “bisedime të nivelit shumë të lartë” me Iranin të shtunën për të adresuar programin e tij bërthamor, duke paralajmëruar se dështimi për të arritur një marrëveshje do çonte në një “ditë shumë të keqe” për Republikën Islamike.
Presidenti amerikan më herët zbuloi se i kishte dërguar një letër Udhëheqësit Suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, duke propozuar rinovimin e negociatave mbi marrëveshjen bërthamore, nga e cila SHBA-ja u tërhoq gjatë mandatit të parë të Trump në vitin 2018. Ai më tej paralajmëroi se nëse Teherani e hedh poshtë ofertën, mund të përballet me sulme bombarduese “të tilla që nuk i ka parë kurrë”.
Teherani, i cili mohon se po kërkon armë bërthamore, hodhi poshtë kërkesën për bisedime të drejtpërdrejta. Araghchi e denoncoi propozimin si “të pakuptimtë”.
“Nëse doni negociata, atëherë çfarë kuptimi ka të kërcënoni?” pyeti ai.