Ditën e sotme ka hapur dyert ‘Art Explora’ ose e njohur ndryshe si vila 31 e ish-diktatorit Enver Hoxha.
Prej më shumë se 1 viti, fondacioni francez Art Explora është kujdesur për të rehabilituar dhe për të marrë në menaxhim vilën e njohur dhe për ta kthyer në një qendër vizitorësh.
Ideatori për kthimin e vilës 31 në një qendër kulturore është Frederik Jousset, këtë e theksoi dhe kryeministri Edi Rama në fjalën e tij, ku veçoi se për këtë ide ai kishte vendosur që t’i jepte sot, në këtë përurim, Yllin e Lartë të Mirënjohjes.
Sipas Ramës, ky është një kontribut i veçantë dhe jo thjesht një lavdërim për faktin e gjithë simbolikës që mban ky vend.
“Nuk besoj që imagjinata e artistëve këtu mund të arrijë deri në atë pikë sa të përfytyrojnë anglezët të hapin një të këtillë në Shqipëri apo gjetkë në një vend tjetër që nuk është koloni e tyre. Nga ana tjetër, unë duhet të respektoj dhe nderoj Frederikun, që edhe sot me shumë njerëz të tjerë jo vetëm flet në frëngjisht, por duke i kushtuar një fjalim të gjatë. Një fjalim të gjatë sepse, falë imagjinatës së ambasadorit tim Dritan Tola, për të falënderuar Frederikun me yllin e lartë të mirënjohjes publike, u bë ideja ta bënim diku jashtë. Nuk e kam bërë më parë këtë dhe nuk besoj se një president francez e ka dhënë Legjionin e Nderit në kopshtin Le Tuileries. Kjo tregon se jemi një vend demokratik. Ndonjëherë ambasadorët na japin urdhra prapa kurrizit, megjithatë Frederik, e fillova duke pyetur ChatGPT për ty dhe ja çfarë mora: Babai juaj, profesor financash në shkollat e shquara, president i shkollës së muzikës. Edhe ajo mendja e hijshme dhe e bukur që është mamaja juaj Arielle, kryekonservatore dhe specialiste dizajni në qendrën Pompidou. Po të marrim parasysh njerëzit në këtë vend të veçantë, dikur vend makbethian, sot një vatër kulture shqiptare për gjithë botën. Them me vete që kënaqësia që ndjej.”-tha Rama.
Kreu i qeverisë falënderoi sipërmarrësin francez Frederik Jousset, si dhe i dhuroi ‘Yllin e Madh të Mirënjohjes së Republikës së Shqipërisë”.
Gjatë këtij momenti nuk munguan batuat nga kryeministri, i cili i tha “Meqë jemi vend kontrabandistësh kjo është për t’iu treguar autoritetet franceze që nuk është e kondrabanduar, por është origjinale”.
“Do doja të vinit këtu pranë meje për t’ju prezantuar me medaljen. Këtë merreni si bagazh të Art Explora. Meqë jemi vend kontrabandistësh kjo është për t’iu treguar autoritetet franceze që nuk është e kontrabanduar, por është origjinale. Nuk jeni i detyruar të thoni gjë, por nëse doni të thoni gjë”-tha Rama.
Vila 31 x Art Explora – ish-rezidenca e një epoke të errët e kthyer në një qendër inovative artistike dhe kulturore, mirëpret rezidentët e parë nga Franca, Tunizia, Libani, Malta, Italia e vende të tjera duke sjellë një program kulturor të hapur për të gjithë: performanca, diskutime, punëtori, lexime dhe shfaqje filmash
9-13 Prill, hyrja e lirë për të gjithë.