“Kultura nuk është luks, është themeli i lirisë”- Taulanda Jupi: 50 milion euro buxheti për artin, 0% taksë për individin krijues


Kandidatja e Koalicionit Euroatlantik për Tiranën, Taulanda Jupi, ka shpallur një platformë të re për të fuqizuar artin, kulturën dhe trashëgiminë në Shqipëri. Ajo theksoi se suksesi i vendeve moderne nuk matet vetëm nga ekonomia, por edhe nga kultura dhe krijimtaria.

Në një postim të saj në rrjetet sociale, Jupi ka prezantuar një plan ambicioz që përfshin një buxhet prej 50 milionë euro për artin dhe kulturën, si dhe një sërë masash mbështetëse për artistët dhe krijuesit.

Jupi gjithashtu ka premtuar krijimin e institucioneve të reja kulturore dhe zhvillimin e qendrave artistike në të gjitha bashkitë e Shqipërisë. 

Postimi:

Vendet e suksesshme nuk maten më vetëm ekonomia.

Maten nga mendimi.

Nga krijimtaria.

Nga kultura.

Shqipëria nuk bën përjashtim. Koha e fjalëve ka mbaruar. Ka ardhur koha për veprim. Ka ardhur dita të kthejmë artin, kulturën dhe trashëgiminë në një industri kreative, funksionale dhe konkurruese. Të fuqizojmë artistët dhe krijuesit.

Të vendosim kulturën në zemër të zhvillimit kombëtar. Si do ta realizojmë këtë? 50 milion euro buxheti për artin, kulturën dhe trashëgiminë. 0% taksë për individin krijues. Krijimtaria është pasuria jonë.

RINFOND: 1 milion euro për artistët e rinj. +5 milion euro për prodhimin, promovimin dhe shpërndarjen e filmit shqiptar. 35% rimbursim për projektet e huaja filmike që realizohen në Shqipëri.

Ligj i ri për Sponsorizimet që lehtëson dhe nxit mbështetjen e sektorit privat për artin dhe kulturën. Ligj për përafrimin e kornizës ligjore me BE-në për funksionimin modern dhe të pavarur të institucioneve kulturore.

Strategji Kombëtare për të Drejtën e Autorit që rrit të ardhurat nga e drejta e autorit nga 0.7 milionë sot në 7 milionë euro nesër.

Institucione të reja do të krijohen, duke sjellë më shumë mundësi për artistët dhe krijuesit. Do të rivitalizojmë qendrat artistike në 61 bashki.

Do të themelojmë qendra për art bashkëkohor, letërsi dhe libër. Do të ngremë Fondin për Kreditim Kulturor dhe Agjencinë Kombëtare të Librit.

Sepse kultura nuk është luks. Është themeli i lirisë. Është ADN-ja e Shqipërisë së të ardhmes. Ne nuk do të presim më. Ne do të veprojmë.

Dhe do të ndërtojmë Shqipërinë që meritojmë.