Kundërpërgjigjja e tarifave nga Kina, Trump u bën thiirje kompanive amerikane të zhvendosen në SHBA


Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se tani është “koha ideale për të zhvendosur kompaninë tuaj” në Shtetet e Bashkuara, edhe pse tregjet globale të aksioneve janë në rënie si pasojë e përshkallëzimit të luftës tregtare të nisur prej tij.

Trump ka vendosur një tarifë të re prej 104% mbi importet nga Kina, ndërsa Pekini është kundërpërgjigjur me një tarifë hakmarrëse prej 84%. Kjo ka rritur shqetësimet për një recesion të mundshëm global.

Megjithatë, Trump ka argumentuar se tarifat janë një mjet i nevojshëm për të rikthyer fuqinë e prodhimit amerikan.

Të mërkurën në mëngjes, ai pretendoi se “numra rekord” kompanish po zhvendosen në SHBA, pavarësisht pasigurive në tregje, përcjell The Guardian.

Në platformën e tij sociale, Truth Social, ai shkroi:

“Kjo është një KOHE E SHKËLQYER për të zhvendosur KOMPANINË tuaj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, siç po bëjnë Apple dhe shumë të tjera, në numra rekord. TARIFFA ZERO, lidhje dhe miratime elektrike/energjetike pothuajse të menjëhershme. Asnjë vonesë nga mjedisi. MOS PRISNI, VEPRONI TANI!”

Pavarësisht këtij entuziazmi, tregjet financiare nuk kanë reflektuar të njëjtin optimizëm. Bursat pritet të shënojnë një rënie për të pestën ditë radhazi, ndërsa investitorët janë të shqetësuar për ndikimin e përshkallëzimit të konfliktit tregtar në ekonominë globale.