Marrëveshja e re e koalicionit në Gjermani, ndryshime në përfitimet për refugjatët ukrainas


Sipas një marrëveshjeje të re të arritur gjatë negociatave për krijimin e qeverisë së re gjermane mes CDU, CSU dhe SPD, refugjatët ukrainas që hyjnë në Gjermani pas datës 1 prill 2025 nuk do të përfitojnë më ndihmën sociale “Bürgergeld” (ndihma qytetare), por do të trajtohen sipas skemës më të ulët të ndihmës për azilkërkuesit, përcjell DW.

Në dokumentin e marrëveshjes së koalicionit, e cila ende nuk është nënshkruar zyrtarisht nga partitë, thuhet:

“Refugjatët që gëzojnë të drejtën e qëndrimit sipas direktivës së mbrojtjes së përkohshme dhe që kanë hyrë në vend pas datës 1 prill 2025, do të përfitojnë sërish ndihmë sipas Ligjit për Përfitimet për Azilkërkuesit, nëse kanë nevojë.”

Refugjatët nga Ukraina nuk janë të detyruar të aplikojnë për azil, pasi direktiva e mbrojtjes së përkohshme e BE-së u garanton atyre qëndrim pa kaluar nëpër procedurën formale të azilit.

Që prej 1 qershorit 2022, ata kanë përfituar të njëjtat përfitime si qytetarët gjermanë në nevojë, përfshirë ndihmën sociale “Bürgergeld”. Por me marrëveshjen e re, të ardhurit e rinj do të kalojnë sërish në kategorinë e përfituesve të skemës për azilkërkuesit — me ndihma më të ulëta. Ndryshimi nuk do të prekë ata që janë vendosur në Gjermani përpara kësaj date.

Deri më sot, rreth 1.25 milion refugjatë ukrainas ndodhen në Gjermani. Direktiva e BE-së për mbrojtjen e tyre është zgjatur deri në mars 2026.