Presidenti Macron pritet të vizitojë Tiranën në maj, në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian


Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Tiranë në muajin maj, e dyta e këtij niveli në Shqipëri, e cila përkon me mbajtjen e Samitit të Komunitetit Politik Evropian më 16 maj 2025.

Lajmi u konfirmua nga Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, gjatë një takimi me Ministrin francez të deleguar për Evropën, Benjamin Haddad, i cili ndodhet në Shqipëri për një vizitë dyditore zyrtare.

Në fokus të takimit ishte forcimi i marrëdhënieve dypalëshe, përparimi i procesit të integrimit evropian të Shqipërisë, si dhe ruajtja e stabilitetit rajonal. Ministri Hasani theksoi se vizita e z. Haddad është dëshmi e marrëdhënieve të veçanta dhe të gjithanshme mes Shqipërisë dhe Francës.

“Mirënjohja jonë për mbështetjen e palëkundur të Francës në rrugën drejt Bashkimit Evropian është e sinqertë. Ajo mbështetje ka qenë vendimtare për një proces negociatash të drejtë dhe transparent. Presim me optimizëm zhvillimin e Konferencës së Katërt Ndërqeveritare së shpejti, si dhe hapjen e kapitujve të tjerë gjatë vitit 2025, për të arritur qëllimin tonë final: përmbylljen e negociatave deri në fund të vitit 2027”, deklaroi Hasani.

Një temë e rëndësishme e diskutimit ishte edhe Samiti i ardhshëm i Komunitetit Politik Evropian, që do të mbahet në Tiranë më 16 maj. Ministri Hasani e cilësoi këtë samit si një moment historik për vendin, që do të shërbejë për të thelluar dialogun dhe bashkëpunimin mes vendeve evropiane përballë sfidave të përbashkëta, sidomos në fushën e sigurisë dhe stabilitetit.

Ai nënvizoi rolin udhëheqës të Francës në krijimin e këtij forumi dhe shprehu angazhimin e Shqipërisë për të ndihmuar në avancimin e objektivave të tij gjatë samitit të Tiranës.

Presidenti Macron e vizitoi për herë të parë Shqipërinë në tetor të vitit 2023, ku u prit me ceremoni shtetërore dhe pati takime që u fokusuan në zgjerimin e bashkëpunimit në fusha si kultura, arsimi, ekonomia dhe energjia. Vizita e tij e dytë pritet të thellojë më tej marrëdhëniet strategjike mes dy vendeve.