Shembet çatia e një klubi nate në Santo Domingo, humbin jetën 98 persona


Të paktën 98 persona kanë humbur jetën dhe mbi 150 të tjerë janë plagosur pasi çatia e një klubi nate u shemb në Santo Domingo, kryeqytetin e Republikës Domenikane. Ngjarja ndodhi në orët e para të së martës, gjatë një koncerti të këngëtarit të njohur të merengues, Rubby Pérez, në klubin “Jet Set”.

Mes viktimave ishte edhe ish-lojtari i njohur i Ligës së Madhe të Bejsbollit dhe guvernator i një province, Octavio Dotel, 51 vjeç, i cili humbi jetën rrugës për në spital pasi u nxor nga rrënojat.

Qindra persona ndodheshin brenda lokalit në momentin e tragjedisë, ndërsa mbi 400 shpëtimtarë janë ende në kërkim të të mbijetuarve nën rrënoja. Autoritetet lokale kanë shprehur shqetësimin se numri i viktimave mund të rritet në orët në vijim.

Sipas drejtorit të Qendrës së Operacioneve Emergjente, Juan Manuel Méndez, ekziston ende shpresë që shumë nga personat e bllokuar nën rrënoja të jenë gjallë. Në momentin e ngjarjes, klubi ishte i mbushur plot me qindra të pranishëm, përfshirë politikanë, sportistë dhe figura të njohura të vendit.

Mes viktimave janë edhe emra të njohur si ish-lojtari i bejsbollit Octavio Dotel dhe Nelsy Cruz, guvernatore e provincës Monte Cristi dhe motra e bejsbollistit të njohur Nelson Cruz. Dotel, 51 vjeç, ndërroi jetë gjatë rrugës për në spital pasi u nxor nga rrënojat, ndërsa Cruz u konfirmua e vdekur nga presidenti Luis Abinader.

Pamjet e marra nga brenda lokalit pak çaste para ngjarjes tregojnë skena të zakonshme koncerti, me njerëz të ulur e duke kërcyer, teksa këngëtari i njohur Rubby Pérez performonte. Në një moment, një person dëgjohet duke thënë “diçka ra nga tavani”, përpara se të ndodhte shembja tragjike, e shoqëruar nga britma dhe errësim i menjëhershëm i pamjeve.

Rubby Pérez ishte mes të bllokuarve, ndërsa vajza e tij konfirmoi për mediat se ai u shpëtua nga rrënojat. Një nga anëtarët e grupit muzikor u shpreh se në momentin e shembjes “mendova se ishte tërmet”./BBC