Presidenti amerikan Trump tha të mërkurën se do ndalonte shumë nga tarifat e tij të reja për 90 ditë, por rriti më tej ato ndaj Kinës. Trump tha se do rriste tarifat për importet kineze në 125% nga niveli 104% që hyri në fuqi në mesnatë, shkruan Reuters. Në të njëjtën kohë ai tha se do t’i ulte ato në vendet e tjera që gjithashtu i nënshtrohen tarifave të reja të synuara.
“Kam autorizuar një pushim 90 ditor dhe një tarifë të ndërsjellë të ulur ndjeshëm gjatë kësaj periudhe, prej 10%, gjithashtu në fuqi menjëherë”, shkroi Trump në rrjetet sociale.
Detajet nuk ishin të qarta menjëherë.
Indekset e aksioneve në SHBA u rritën pas lajmit.
Në një postim në platformën e tij “Truth Social”, Trump shkroi se “bazuar në mungesën e respektit që Kina ka treguar ndaj tregjeve botërore, unë po e rris tarifën e vendosur ndaj Kinës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në 125%, në fuqi menjëherë”.
Ai shprehu shpresën se Pekini do e kuptojë se “rrjepja e SHBA-së dhe vendeve të tjera nuk është më e qëndrueshme apo e pranueshme”.