Ukraina: 163 shtetas kinezë po shërbejnë në Forcat e Armatosura të Rusisë


Të paktën 163 shtetas kinezë po shërbejnë në Forcat e Armatosura të Rusisë që nga fillimi i prillit, sipas një dokumenti të inteligjencës ukrainase të parë nga Kyiv Independent më 9 prill.

Një dokument tjetër tregonte foto dhe të dhëna pasaporte të 13 rekrutëve kinezë që po përzgjidheshin për shërbim në ushtrinë ruse më 2 prill.

“Janë 155 shtetas kinezë që po luftojnë kundër ukrainasve në territorin e Ukrainës,” konfirmoi presidenti Volodymyr Zelensky për gazetarët më 9 prill.
“Po mbledhim të dhëna dhe besojmë se ka shumë më tepër.”

“Për këta 155 persona kemi të dhëna të plota pasaporte, vendin e origjinës, dokumentet kineze, moshën, etj.” shtoi ai.

Sipas Zelenskyt, ushtarët kinezë janë përfshirë në njësi si Brigada e 70-të e Motorizuar e Gardës, Divizioni i 255-të i Këmbësorisë dhe të tjera.

Një ditë më parë, Zelensky njoftoi kapjen e dy shtetasve kinezë që po luftonin përkrah forcave ruse në rajonin lindor të Donetsk-ut. Një grup prej gjashtë kinezësh ishte përfshirë në përleshje me forcat ukrainase, ndërsa dy prej tyre janë aktualisht në paraburgim nga Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës (SBU).

Dokumentet e siguruara nga Kyiv Independent përmbajnë emra, të dhëna personale, vendin e shërbimit dhe rolin e shtetasve të tjerë kinezë në ushtrinë ruse.

Të kapurit janë identifikuar si Wang Guangjun (i lindur në 1991) dhe Zhang Renbo (1998). Guangjun u kap pranë Belogorivka në Donetsk, ndërsa Renbo pranë Tarasivka, më në jug.

Njëri prej tyre ka pohuar se pagoi 300,000 rubla (rreth 3,000 dollarë) një ndërmjetësi në Kinë për t’u bashkuar me ushtrinë ruse në këmbim të premtimit për nënshtetësi ruse, sipas shërbimit të shtypit të njësisë ushtarake të Luhansk-ut për Ukrainian Pravda.

“Pekini është në dijeni të kësaj. Rusët shpërndajnë video propagandistike për rekrutimin përmes rrjeteve sociale kineze,” tha Zelensky.

Pas arrestimit, ai i kërkoi Ministrit të Jashtëm Andrii Sybiha të kontaktojë autoritetet në Pekin. Ukraina gjithashtu thirri për shpjegime përfaqësuesin diplomatik kinez për të shprehur protestën dhe dënimin zyrtar.

“Po dokumentojmë se këta janë shtetas kinezë, që po luftojnë kundër nesh, duke përdorur armë kundër ukrainasve në territorin tonë,” u shpreh presidenti.

Pekini u përgjigj duke thënë se po “verifikon” pretendimet, duke ritheksuar se ligji kinez ndalon pjesëmarrjen e qytetarëve të saj në konflikte të huaja të armatosura.

Zelensky shtoi se prania e dukshme e shtetasve kinezë në radhët e ushtrisë ruse është një tjetër provë se Moska nuk kërkon paqe dhe vazhdon të marrë mbështetje nga vende si Kina, Irani dhe Koreja e Veriut.

Departamenti Amerikan i Shtetit e cilësoi ngjarjen si “shqetësuese”, duke theksuar se po e ndjek me vëmendje situatën. “Jemi në dijeni të këtyre raporteve,” deklaroi zëdhënësja Tammy Bruce më 8 prill.

Ndryshe nga ushtarët koreano-veriorë që kanë luftuar në territorin rus, shtetasit kinezë u kapën në Ukrainë, gjë që përbën një përshkallëzim të mundshëm të përfshirjes së huaj në luftë.

Koreja e Veriut ka dërguar rreth 12,000 trupa në rajonin e Kurskut në vitin 2024 për të forcuar linjat ruse pas një ofensive kufitare të Ukrainës. Kievi ka raportuar kapjen e dy ushtarëve koreanë në janar, si dhe vlerëson mbi 4,000 viktima në njësitë koreano-veriore.