Vendet anëtare të BE-së miratojnë valën e parë të tarifave hakmarrëse ndaj SHBA


Pas disa javësh konsultimesh mes vendeve anëtare, Komisionit Evropian dhe industrive të prekura, Bashkimi Evropian miratoi të mërkurën masat e para hakmarrëse ndaj tarifave amerikane për çelikun dhe aluminin evropian.

Shtetet anëtare të BE-së ranë dakord për vendosjen e tarifave 25% ndaj një game të gjerë produktesh amerikane, përfshirë bajamet, lëngun e portokallit, mishin e shpendëve, sojën, çelikun dhe aluminin, duhanin dhe jahtet, sipas Euronews.

Masat vijnë si kundërpërgjigje ndaj tarifave 25% të vendosura nga SHBA për importet nga BE-ja.

Këto janë masat e para hakmarrëse të Evropës në luftën tregtare të ndërmarrë nga presidenti amerikan Donald Trump ndaj partnerëve tregtarë në mbarë botën. Lista e produkteve, të cilën Euronews e ka parë më herët, ka qenë objekt debatesh intensive, pasi disa shtete anëtare kanë shprehur shqetësimin për kundërmasa të mundshme nga SHBA që mund të prekin ekonomitë e tyre.

Hungaria ishte i vetmi vend anëtar që votoi kundër vendimit për hakmarrje.

Franca, Irlanda dhe Italia arritën të siguronin heqjen e Bourbon whiskey nga lista e produkteve të goditura, pas kërcënimit të Trump se përfshirja e këtij produkti do të sillte vendosjen e një tarife prej 200% mbi alkoolin evropian.

Lista përfundimtare e produkteve amerikane të prekura nga tarifat e BE-së nuk është bërë ende publike.

“Tarifat e BE-së mund të pezullohen në çdo kohë, nëse SHBA pranon një zgjidhje të drejtë dhe të balancuar përmes negociatave,” tha zëdhënësi i Komisionit për çështjet tregtare, Olof Gill, në platformën X.

Vlera e importeve amerikane që preken nga këto masa të BE-së është pak më e ulët sesa ajo e eksporteve evropiane të goditura nga tarifat amerikane – rreth 21 miliardë euro në vit, kundrejt 26 miliardë eurove të eksporteve të BE-së në çelik dhe alumin të goditura nga tarifat e SHBA që hynë në fuqi më 12 mars.

Afati kohor për zbatimin e tarifave është shtyrë me qëllim që të krijohet hapësirë për negociata me SHBA-në. Kështu, tarifat e BE-së do të hyjnë në fuqi midis datave 15 prill dhe 1 dhjetor.

Këto masa përfaqësojnë vetëm hapin e parë në përgjigjen e BE-së ndaj luftës tregtare të nisur nga SHBA. Përveç çelikut dhe aluminit, administrata Trump ka vendosur tarifa 25% mbi makinat evropiane dhe tarifa “reciproke” prej 20% mbi të gjitha importet nga BE-ja. Në total, 70% e eksporteve evropiane drejt SHBA-së janë prekur.

Komisioni Evropian njoftoi se një paketë e dytë masash hakmarrëse është në përgatitje dhe pritet të paraqitet në fillim të javës së ardhshme.