Një zjarr i rëndë ka përfshirë një shtëpi pleqsh në qytetin Chengde, në provincën Hebei të Kinës veriore, duke shkaktuar vdekjen e 20 personave, raportojnë mediat shtetërore.
Sipas agjencisë Xinhua, zjarri shpërtheu mbrëmjen e së martës rreth orës 21:00 dhe pas gjashtë orësh, bilanci tragjik u konfirmua.
Ndërkohë, 19 persona të tjerë që ndodheshin në godinë janë shpëtuar dhe janë dërguar në spital për vëzhgim, ndonëse nuk kanë marrë lëndime.
Autoritetet lokale kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e zjarrit. Sipas televizionit shtetëror CCTV, një person përgjegjës për institucionin është ndaluar nga policia, por nuk janë dhënë më shumë detaje.
Ky është incidenti i dytë i rëndë brenda pak muajsh në të njëjtën provincë. Në janar, një zjarr në një treg ushqimor në Zhangjiakou shkaktoi 8 të vdekur dhe 15 të plagosur./AP