Zotërinj të SPAK, Ligji nuk është Etikë


Nga Arsen Rusta

Ligji është aq i ftohtë, sa nuk ka ndjenja, nuk ka mëshirë, nuk ka etikë dhe as ndjeshmëri. Ligji reagon kur shkelet, nuk të lejon ta anashkalosh apo të bësh sikur nuk e sheh.

Pra, ligji nuk ka etikë. Ligjit nuk i intereson etika. E thënë thjesht: dikush përballet me Kodin Penal nëse shkel ligjin, jo etikën.

Ndërsa me kodin etik përballja është thjesht administrative, sipas rregullave të organizatës përkatëse, punëdhënësit apo institucionit ku je pjesë.

Prokurori i SPA, përpara Gjykatës Kushtetuese – që ka për detyrë të mbrojë ligjin – bëri një gafë të rëndë juridike. Tha që gazetarët duhet të pyesin SPAK-un nëse mund të botojnë apo jo informacione sekrete. Po por nëse ka ndodhur e duhet ta faktosh para gjykatës: Kjo është zgjedhje, jo detyrim i nderuar.

Apriori paska ndodhur. OK!

Por, me të drejtë e pyeti Gjykata:

A ka detyrim ligjor gazetari të pyesë SPAK-un?

JO! – u përgjigj z. Bledar Maksuti – “është çështje etike”.

Por, Elton Qyno nuk përballet me ligjin për etikën, z. Maksuti! Ai përballet sepse sipas jush ka shkelur ligjin. Ndërsa sipas tij dhe shumicës së gazetarëve, nuk ka kryer asnjë shkelje.

Si mendoj unë?

Në këtë situatë, ku çështja ka shkuar, edhe sikur kolegu Qyno të ketë shkelur ligjin – sipas pretendimit tuaj se gazetarët duhet të kërkojnë leje për të publikuar sekretet – kjo çështje ka VDEKUR juridikisht. Duhet të pushohet.

As Qyno, as unë, as ne gazetarët nuk kemi detyrim ligjor të pyesim askënd. Kush e bën për etikë, e ka si një medalje më shumë (ose më pak) në CV-në profesionale.

Por interesi publik është LIGJ, jo etika.

Ndaj, jam i bindur se keni gabuar dhe keni bërë një gafë juridike me atë që thatë. Dhe, si pasojë, keni kompromentuar të gjithë procesin.