Policia e Vlorës ka arrestuar një 34-vjeçar nga fshati Tragjas gjatë operacionit të koduar “Nightfall 2”, për mbajtje pa leje të armëve.
Në banesën e tij u sekuestrua një armë zjarri pistoletë me krehër me fishekë dhe dhjetëra fishekë për kallashnikov.
Arma do t’i nënshtrohet ekspertizës për të verifikuar nëse është përdorur në ngjarje kriminale.
Njoftimi i policisë:
Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në zbatim të planit të masave për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, kanë vijuar kontrollet dhe ndërhyrjet intensive në të gjithë territorin e qarkut, me fokus goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje dhe të çdo veprimtarie të paligjshme që rrezikon jetën dhe sigurinë e qytetarëve.
Në këtë kuadër, mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, mbrëmjen e djeshme, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Nightfall 2”.
Si rezultat i këtij operacioni, u arrestua në flagrancë për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, shtetasi B. A., 34 vjeç, banues në fshatin Tragjas.
Gjatë kontrollit të ushtruar në ambientet e banesës së këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 1 armë zjarri pistoletë me krehër me fishekë, si dhe dhjetëra fishekë për armë zjarri kallashnikov.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme.