Berisha takon përfaqësuesit e OSBE: Qeveria po përdor drejtësinë dhe burimet publike për qëllime elektorale


Një ditë para nisjes së fushatës elektorale të Partisë Demokratike, kryedemokrati Sali Berisha zhvilloi një takim me ambasadorin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Andreas Nothelle, dhe dy përfaqësues të tjerë të kësaj zyre në Tiranë.

Në fokus të diskutimit ishte situata politike në vend, zhvillimi i fushatës dhe sfidat që mund të ndikojnë në vlerësimin e qytetarëve. Berisha theksoi se vendi ndodhet në një krizë të thellë sociale dhe politike, të shkaktuar sipas tij nga “korrupsioni i kapilarizuar dhe bashkëpunimi i qeverisë me bandat kriminale”, që kanë çuar në humbjen e shpresës dhe largimin masiv të qytetarëve nga Shqipëria.

Ai ngriti shqetësime për “përdorimin politik të sistemit të drejtësisë” duke përmendur rastet e ndjekjes penale ndaj drejtuesve të PD-së dhe zyrtarëve të saj pa prova ligjore. Në këtë kontekst, Berisha ndau me përfaqësuesit e OSBE-së informacion të dokumentuar publikisht, përfshirë transkriptimet e komunikimeve nga Sky/EncroChat.

Përfaqësuesit e OSBE-së shprehën interes për të kuptuar nëse qeveria po përdor burimet administrative në funksion të fushatës. Sipas Berishës, janë të paktën 80 raste të dokumentuara që tregojnë përdorimin e fondeve publike dhe administratës për qëllime elektorale, në kundërshtim me rekomandimet e ODHIR.

Ai gjithashtu prezantoi ofertën politike dhe ekonomike të opozitës, duke theksuar se PD dhe koalicioni “Aleanca për Shpresë dhe Mirëqenie” po ofrojnë një alternativë të qartë dhe të strukturuar për qytetarët.

Në takim morën pjesë edhe kryetari i PR-së Fatmir Mediu, deputetët Helidon Bushati dhe Enri Çeno, si dhe anëtarë të delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të OSBE. Biseda u zhvillua në një frymë të hapur dhe konstruktive.