Konservatorët e Friedrich Merz-it dhe socialdemokratët nënshkruan një marrëveshje për të formuar qeverinë e ardhshme të Gjermanisë, duke i hapur rrugën Merz-it për të marrë postin e kancelarit që në javën e parë të majit.
Blloku CDU/CSU i Merz-it do plotësojë postet e kabinetit që përfshijnë punët e jashtme, ekonominë dhe punët e brendshmen, ndërsa SPD do drejtojë ministritë e Financave, Mbrojtjes dhe Punës, sipas njerëzve të njohur me marrëveshjen e koalicionit.
Kush pritet të jenë janë katër ministrat kyç të qeverisë së re gjermane.
Ministria e Financave – Lars Klingbeil, SPD
Në hierarkinë politike të Gjermanisë, puna e ministrit të Financave konsiderohet si roli kryesor pas kancelarit dhe zakonisht i ndahet partnerit të vogël të koalicionit.
Lars Klingbeil, një bashkëdrejtues i SPD-së, do marrë përsipër portofolin e financave dhe do jetë gjithashtu zëvendës i Merz-it si zëvendëskancelar. 47-vjeçari ka udhëhequr SPD-në së bashku me Saskia Esken që nga viti 2021.
Pas humbjes së hidhur të partisë në zgjedhjet kombëtare të 23 shkurtit, ai mori gjithashtu postin e kreut të grupit parlamentar të SPD-së në Bundestag, një pozicion nga i cili ka të ngjarë të heqë dorë sapo të marrë rolin e ri.
Klingbeil, babai i të cilit ishte ushtar në Bundesëehr, i përket krahut konservator-pragmatik të SPD-së. Pas studimeve për Shkenca Politike dhe Histori në Hanover, ai punoi për Gerhard Schroeder, por më vonë u distancua nga ish-kancelari i SPD për shkak të qëndrimit të tij pro-rus.
Pozicioni i Klingbeil në hierarkinë e SPD-së ishte nën kërcënim pas humbjes historike të partisë në zgjedhje, por ai arriti të sigurojë më shumë se 85% të votave nga kolegët e partisë kur ata e konfirmuan atë si shef të grupit parlamentar të partisë në fund të shkurtit.
Ministria e Ekonomisë – Carsten Linnemann, CDU
Carsten Linnemann, Sekretari i Përgjithshëm i Kristian Demokratëve të Merz-it dhe një i besuar i ngushtë i kancelarit të ardhshëm, luajti një rol kryesor në fushatën e suksesshme zgjedhore të konservatorëve.
47-vjeçarit, një ish-ekonomist në Deutsche Bank në Frankfurt, mund t’i jepen kompetenca të zgjeruara në krye të një ministrie të kombinuar të Ekonomisë dhe Punës – portofolet që u ndanë nën kancelarin në largim të SPD-së, Olaf Scholz.
Kjo do e bënte Linnemann një nga anëtarët më të fuqishëm të kabinetit, me një pjesë të madhe të përgjegjësisë për rikthimin e ekonomisë së Gjermanisë në rritje domethënëse pas disa vitesh frenimi.
Ministria e Mbrojtja – Boris Pistorius, SPD
Me retorikën e tij jashtëzakonisht të mprehtë, Boris Pistorius ka dalë shpejt nga errësira relative në qeverinë rajonale për t’u bërë politikani më popullor i Gjermanisë.
I përzgjedhur nga Scholz si ministër i Mbrojtjes në vitin 2023, 65-vjeçari me origjinë nga Osnabruck, është një nga vetëm dy ministrat e SPD-së që ruajnë detyrën e tyre aktuale.
Pasi dy partnerët e koalicionit u bashkuan me të Gjelbërit për t’i dhënë fund efektivisht kufizimeve në huamarrjen për financimin e shpenzimeve të mbrojtjes, Pistorius është gati të mbikëqyrë prokurimet ushtarake të një shkalle të paparë në vitet e ardhshme.
Ai gjithashtu shihet gjerësisht si kandidati më i mundshëm për kancelar i SPD-së në zgjedhjet e ardhshme, pasi kundërshtoi për të marrë detyrën nga Scholz gjatë fushatës së fundit.
Ministria e Jashtme – Johann Wadephul, CDU
Emërimi i Johann Wadephul është krejt befasues pasi Armin Laschet, ish-udhëheqësi i CDU-së dhe kandidati për kancelar i vitit 2021, pritej gjerësisht të ringjallte karrierën e tij politike si ministër i Jashtëm i Merz.
Një avokat i njohur, që ka qenë anëtar i Bundestagut që nga viti 2009, Wadephul vjen nga rajoni veriperëndimor i Schleswig-Holstein pranë kufirit të Gjermanisë me Danimarkën.
62-vjeçari është evropian i përkushtuar me lidhje të forta me partnerët ndërkombëtarë të Gjermanisë në BE dhe NATO dhe një mbështetës i fortë i mbështetjes për Ukrainën në mbrojtjen e saj kundër pushtimit rus. Ai është gjithashtu i afërt me forcat e armatosura, pasi ka shërbyer si ushtar vullnetar në vitet 1980.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Bloomberg
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani