Përurohet Parku Fotovoltaik i Karavastasë


Një vit pasi ka nisur prodhimin e energjisë nga dielli, këtë të enjte u përurua ‘Parku i Karavastasë’, i cili sipas qeverisë do të ndihmojë sigurinë energjetike të vendit pavarësisht reshjeve, teksa viti në vijim parashikohet të jetë një vit tejet i thatë.

Sipas të dhënave nga Enti Rregullator i Energjisë vjet u prodhua nga parqet diellore 360,249 megavat energji elektrike nga te cilat 258,383 megavat ishin nga Karavastaja.

Ministri francez Benjamin Haddad tha se projekte si ky i Karavastasë apo parku që po ndërtohet në Spitallë, kanë rritur imazhin e Shqipërisë dhe e kanë sjellë më pranë BE-së.

“Dua të theksoj klimën e besimit dhe të transparencës për këtë projekt, kjo gjë forcon interesin e ndërmarrjeve franceze për Shqipërinë. Ju përgëzoj që përdorni energjinë diellore që është e ç‘karbonizuar. Zgjerimi përbën domosdoshmëri politike për të garantuar sigurinë mes fqinjëve, ndërsa Moska vijon luftën në kufi të Evropës”, tha ministri francez Benjamin Haddad.

Një nga financuesit e parkut diellor të Karavastasë është BERZH, që është gati të financojë edhe projekte të tjera.

“Shqipëria ka ende rekordin për tarifën më të ulët për energjinë diellore, duke e vënë vendin në hartë për investime nga kompanitë për të ardhur në vend.  BERZH është e gatshme të mbështesë vendin përmes ankandeve të reja, përmes projekteve të reja. Pra jemi partner i vazhdueshëm i vendit”, tha Ekaterina Sololova, përfaqësuese e BERZH në Shqipëri.

Ndërtimi i Parkut Fotovoltaik në Karavasta ka nisur në vitin 2022 nga kompania franceze Voltalia, me kapacitet 140 megavat dhe vlerë investimi 145 milionë euro