Pirateria televizive, AMA: Mbyllëm më shumë se 20 server që transmetonin përmbajte audiovizive


Pirateria televizive ka vijuar të mbetet problem edhe gjatë vitit të shkuar teksa kontrollet në terren të Autoritetit të Mediave Audiovizive kanë çuar në mbylljen e serverave që transmetonin përmbajtje në shkelje të ligjit. AMA në raportin vjetor të 2024-ës nënvizon se të paktën 20 servera u mbyllën.

“Janë kryer inspektime në terren të subjekteve kabllore/IPTV/OTT, në lidhje me respektimin e të drejtave të transmetimit dhe janë identifikuar një sërë rastesh të shitjeve të produkteve audiovizive online, në mënyre abuzive. Rezultat i kësaj lufte të shpallur kundër Piraterisë, kanë qenë bllokimi i shumë subjekteve të paautorizuara nga AMA për ofrimin e shërbimit audioviziv, kryesisht subjekte ISP (Internet Service Provider), të cilët nëpërmjet internetit kryejnë pirateri televizive.

Pas këtyre konstatimeve, AMA në bashkëpunim me AKEP, mori masa për mbylljen e më shumë se 20 serverave që transmetonin content audioviziv pa të drejta si dhe bëri të mundur sanksionimin e 3 subjekteve ISP që operonin në kundërshtim me ligjin 97/2013, të ndryshuar” thuhet në raport.

AMA ka përcjellë gjatë vitit të shkuar tek Autoriteti për Komunikimet Elektronike dhe Postare 37 praktika zyrtare, me qëllim marrjen e masave, për mbylljen e 346 faqeve online, të cilat kryenin shkelje të ligjit.

Raporti vëren se ankesat nga individët apo subjektet janë një nga format kryesore të identifikimit të problematikave dhe marrjes së masave. Kështu  për vitin që raportohet, gjithsej, Këshilli i Ankesave ka shqyrtuar 349 ankesa.

“Nga shkeljet e konstatuara, Këshilli i Ankesave i ka tërhequr vëmendjen OSHMA-ve në 36 raste dhe ka vendosur 2 sanksione me gjobë. Në total, gjatë punës për mbikëqyrjen dhe rregullimin e tregut audio/audioviziv, gjatë vitit 2024, pas shkeljeve të konstatuara nga OSHMA-të, AMA ka vendosur 48 masa administrative me Gjobë dhe 107 “Tërheqje Vëmendje” ”thuhet në raport./ N.Maho

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor