Presidenti Begaj vizitë në Kosovë, policia plan masash


Policia e Kosovës ka bërë të ditur se do të ndërmarrë masa të shtuara sigurie gjatë vizitës zyrtare të Presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, i cili do të qëndrojë në Republikën e Kosovës nga data 10 deri më 12 prill 2025.

Sipas njoftimit zyrtar, Policia do të kujdeset për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, si dhe për lëvizjen e eskortës presidenciale nga pika kufitare në Vërmicë dhe gjatë gjithë itinerarit të vizitës në rajone të ndryshme të vendit.

Për të garantuar një qarkullim të sigurt dhe të papenguar të eskortës, do të ketë ndërprerje të përkohshme të trafikut në disa segmente rrugore, në intervale të shkurtra kohore. 

“Me datën 10 deri më 12 prill 2025, në Republikën e Kosovës, do të qëndrojë për vizitë zyrtare presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Bajram Begaj.

Me këtë rast Policia e Kosovës, gjatë kësaj vizite, e cila realizohet në Republikën e Kosovës, do të kujdeset për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe kohës së qëndrimit të delegacionit në Kosovë.

Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës sipas itinerarit të lëvizjes nga pika kufitare Vërmicë si dhe zhvillimin e aktiviteteve sipas agjendës së vizitës në rajonet e Kosovës, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurtra kohore) të disa segmenteve rrugore (ku pritet të kalojë eskorta), ku edhe mund të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative, andaj Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik.”, njofton policia e Kosovës.