Prokuroria e Përgjithshme takim me OSBE, Olsian Çela: Synojmë transmetimin e shpejtë të informacionit


Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, mori pjesë sot në një tryezë teknike për forcimin e rolit të prokurorëve në luftën kundër krimeve zgjedhore, organizuar nga OSBE dhe Prokuroria e Përgjithshme.

Gjatë fjalës së tij, Çela theksoi angazhimin e plotë të institucioneve të linjës, duke përfshirë prokurorët e posaçëm dhe policinë gjyqësore, për parandalimin dhe ndëshkimin e krimeve zgjedhore.

Ai vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin e shoqërisë civile dhe theksoi rëndësinë e shkëmbimit të eksperiencave dhe njohurive për parregullsitë zgjedhore.

“E rëndësishme sjellja në një tryezë e shoqërisë civile, që ka spikatur me rolin e saj në fushën zgjedhore dhe krimin zgjedhor dhe të atyre që janë në terren si prokurorët dhe oficerët e policisë gjyqësore.

Në këtë kontekst shkëmbimi i eksperiencave, diskutimi për prioritetet në hetimin e krimeve zgjedhore, por dhe njohja e prokurorëve dhe oficerëve të policisë gjyqësore me fenomenet për parregullsitë që vihen re gjatë procesit zgjedhor, vlerësimin e tyre në një pjesë të rasteve si shkelje të ligjit që përbën vepër penale, do të jetë risi jo vetëm në ndërgjegjësimin e prokurorëve dhe oficerëve të policisë për atë që ndodh gjatë procesit zgjedhor por do t’i bëjë ata edhe më të ndjeshëm për të kuptuar rëndësinë e rolit tonë gjatë këtij procesi.

Ajo që ne synojmë është transmetimi i shpejtë i informacionit, vlerësimi në kohë reale ndaj çdo sinjalizimi për çdo shkelje që bëjnë vepër penale”, tha ai