Kryeministri Edi Rama, gjatë një vizite në Durrës, i ka bërë thirrje sektorit privat të turizmit që të përqendrohet tek cilësia e shërbimeve, duke theksuar nevojën për rritje të vazhdueshme të numrit të turistëve të huaj. Ai nënvizoi se investimet publike për turizmin janë në rritje, por se suksesi i qëndrueshëm i këtij sektori varet nga bashkëpunimi me operatorët turistikë.
“Volumi i investimeve nga qeveria dhe bashkia në funksion të turizmit është rritur dhe do të vijojë të rritet. Por jemi ende në një fazë të brishtë. Pa përmirësim cilësor, ky zhvillim mund të ndalet”, deklaroi Rama.
Ai theksoi se është koha për një përqasje të re ndaj investimeve në turizëm, duke kërkuar që çdo shpenzim të fokusohet në cilësinë e shërbimeve, ndërsa iu bëri thirrje bizneseve të rrisin pagat për të tërhequr dhe mbajtur staf të kualifikuar.
“Ju inkurajoj të mos hezitoni të rritni pagat edhe më shumë”, përfundoi Rama, duke bërë thirrje për një angazhim të përbashkët publik-privat për një industri turistike konkurruese dhe të qëndrueshme.