Shtetasja ruso-amerikane Ksenia Karelina, e cila po vuante një dënim me 12 vite burg në Rusi për tradhti, u lirua të enjten si pjesë e një shkëmbimi të burgosurish mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, raporton CNN.
Karelina, një balerinë amatore dhe recepsioniste nga Los Anxhelosi, ishte burgosur për një donacion prej vetëm 50 dollarësh për një organizatë amerikane që mbështet Ukrainën. Arrestimi dhe dënimi i saj u cilësuan si të padrejtë nga autoritetet amerikane dhe organizata të të drejtave të njeriut.
Lajmin për lirimin e saj e konfirmoi Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i cili tha se presidenti Donald Trump kishte ndërhyrë personalisht për lirimin e saj dhe do të vijonte përpjekjet për të kthyer në atdhe të gjithë amerikanët e ndaluar padrejtësisht jashtë vendit.
Karelina u shkëmbye me Arthur Petrov, një shtetas rus-gjerman i akuzuar për kontrabandë dhe pastrim parash në SHBA. Shkëmbimi u krye në Abu Dabi, me ndërmjetësimin e CIA-s dhe diplomacisë amerikane.
Karelina po udhëton drejt SHBA-së së bashku me një ekip të posaçëm të dërguar nga Trump. Në bazën ushtarake Joint Base Andrews, ajo do të pritet nga i fejuari i saj dhe miq të afërt.
Ministria e Jashtme e Emirateve të Bashkuara Arabe konfirmoi se shkëmbimi u realizua në Abu Dabi dhe e përshkroi vendin si “mik të dy palëve dhe ndërmjetës të besueshëm për stabilitet ndërkombëtar”.
Karelina ishte arrestuar në janar 2024 gjatë një vizite për të parë gjyshen 90-vjeçare dhe familjen në Rusi. Ajo ishte bërë shtetase amerikane në vitin 2021.
Ky është rasti i dytë i lirimit të një shtetasi amerikan nga Rusia që nga rikthimi i Trump në Shtëpinë e Bardhë. Në shkurt u lirua mësuesi amerikan Marc Fogel, i shkëmbyer me një rus të akuzuar për pastrim parash.
Sipas autoriteteve amerikane, mbi gjashtë shtetas amerikanë janë ende të ndaluar në mënyrë të padrejtë në Rusi.