Shqipëria nuk pritet të kalojë në skemën e subvencioneve direkte për litër prodhim. Skema kombëtare e subvencioneve direkte, përfshirë edhe atë të naftës, duke nisur nga viti i ardhshëm do të ndryshojnë sipas ministres së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Anila Denaj.
Në intervistën për podcast-in “Monitor Business Plus” zonja Denaj nënvizoi se për ndryshimin e tyre do të ndiqet modeli i skemës së BE-së, ku ajo e subvencionit lekë për litër nuk është pjesë e direktivës së Bashkimit Europian.
“Të gjithë duhet të bëhen gati për këto ndryshime duke filluar nga viti që vjen, sepse të gjithë elementët e skemës së subvencioneve të drejtpërdrejta, si marrja e lekëve për gjeth me qëllim uljen e kostos, do t’i bëjmë siç i kërkon direktiva e Bashkimit Europian. Së bashku me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë është ngritur një grup pune për të adaptuar skemën e subvencioneve, për implementimin e saj në 4 vitet e ardhshme gradualisht, duke nisur nga viti që vjen. Skema lekë për litër nuk është pjesë e direktivës. E mirëkuptoj kërkesën e fermerëve për këtë skemë, por nuk mund të ecim në kah të kundërt të direktivës”.
Ndër të tjera zonja Denaj tha se investimet në bujqësi përfshirë sektorët e mekanizmit bujqësor, agroindustrisë përpunuese dhe agroturizmit do të vijojnë të mbështeten edhe për 5 vitet e ardhshme me fonde që do të arrijnë në vlerën e 500 mln eurove.
Fondet që do të mbështesin rritjen edhe të 1 mijë investimeve të tjera në bujqësi nga sipërmarrësit sipas Denajt do të disbursohen si grande me vlerë 50% financimi për projekt dhe me kredi të buta.
“Parashikojmë të paktën edhe 1 mijë investime të reja nga sipërmarrësit të cilët do të mbështeten nga fondi me vlerë 500 mln euro për 5 vitet e ardhshme. Kalkulimi i fondit është bërë nisur nga nevoja për kryerjen e këtyre 1 mijë investimeve të reja. Fondi prej 500 mln euro do të jetë kombinim i fondit të grandeve me 50% të vlerës së financimit dhe të atij të mbështetjes me kredi të buta.
Një prej programeve me kredi të buta u miratua në fillim të vitit. Ku për herë të parë norma e interesit për bujqësinë e gërshetuar me garancinë sovrane shkon në 2%, pra norma e ulët e interesit që është dhënë ndonjëherë.
Në këto 1 mijë investime që parashikojmë në 5 vitet e ardhshme prioritet do të jenë 5 sektorë.
Është ndërtimi i sektorit të serave, sepse serat në 5 vitet e fundit janë dyfishuar në sipërfaqe prodhimi dhe çuan në rritjen e eksporteve. Sot janë 2,100 ha sera, duhen të paktën edhe 1 mijë ha sera për të plotësuar nevojat e tregut. Investimet në këtë sektor mund të kryhen nëpërmjet dhënies së grandeve dhe kredive të buta.
Është mbarështimi i kafshëve dhe shpendëve, të cilët rrisin kafshë mbi 100 krerë. Edhe këtu vlen dhënia e grandeve me 50% të vlerës së financimit dhe kreditë e buta.
Është e nevojshme që të rriten edhe agroturizmet e certifikuara në male. Nga 250 agroturizme që janë sot objektivi është të rriten të arrijnë në 1 mijë”, nënvizoi zonja Denaj.
Për herë të parë në 2024 u prezantua skema kombëtare e investimeve në bujqësi. Aplikimet nisën në muajin nëntor 2024. Me vlerë fondi 15 mln euro për 2 vite, për vitin e parë skema parashikon shpërndarjen e 5 mln eurove, në formën e grandeve deri në 50% të vlerës së faturave tatimore të investimit.
“Për këtë skemë aplikuan 400 biznese, ku 305 aplikime janë për investime në mekanizimin e fermave. Kjo skemë do të nisë sërish në muajin korrik. Pra skema e investimeve në bujqësisë do të vijojë paralelisht me skemën e subvencioneve direkte”, tha Denaj për ecurinë e skemës së investimeve.
IPARD III sipas ministres së Bujqësisë pritet të çelet vitin e ardhshëm.
“Do të jenë 9 masa me këtë program. Por kjo nuk e pengon qeverinë që të vijojë mbështetjen me masat e tjera buxhetore në mbështetje të bujqësisë.
Po ashtu jemi duke punuar për ngritjen e sistemeve në Agjencisë e Pagesave sipas kushteve për BE-së, që për skemën e investimeve dhe subvencioneve të jenë automike. Ku do të jenë sistemet që do të menaxhojnë elementët e riskut, të lidhur me elementët burokratike apo jo burokratikë”.
Ministrja Denaj tha se gjithashtu nëpërmjet ligjit të ri të miratuar për paketën e maleve qeveria do të mbështesë emigrantët apo rezidentët e interesuar për kryerjen e investimeve, duke i përjashtuar nga taksat për 10 vite.
“Paketa e Maleve” është një iniciativë e kryeministrit Edi Rama, mbas shumë ankesave, sidomos të çështjeve që lidhen me pronësinë në disa zona ku paraardhësit e shumë emigrantëve në veçanti, por jo vetëm kanë lënë si trashëgimi tokën, ndoshta shtëpinë, ndërtesën. Aty asnjëri nuk ka ndërhyrë tek prona e tjetrit, sepse as ligji nr. 7501 nuk është aplikuar. Në këto raste kur edhe dakordësia mes kufitarëve është e qartë, por procesi i legalizimit nuk ka ndodhur, atëherë përfshihet pushteti vendor dhe instrumenti në bazë të ligjit të “Paketës së Maleve” që me 1 euro e jep në pronësi të trashëgimtarit. 500 subjektet e parë që do të investojnë me Paketën e Maleve do të përjashtohen 10 vite nga taksat me qëllim nxitjen e zhvillimin e këtyre zonave dhe punësimin”.
Rënia e peshës së bujqësisë e ndikuar nga fragmatizimi
Në vitin 2024 sipas të dhënave të INSTAT, bujqësia zuri 15,4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto nga 16,2% që zinte në vitin 2023.
Rënia ndër vite e peshës së bujqësisë në PBB, sipas ministres së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Anila Denaj është ndikuar nga fragmatizimi i sektorit, pavarësisht kontributit në investime për rritjen e ekonomisë së shkallës.
“Bujqësia kontribuon me pjesën më të madhe në Prodhimin e Brendshëm Bruto, dhe përgjatë viteve të fundit nga 20% që ka qenë tradicionalisht, ka zbritur, trend që nuk i ndodh vetëm Shqipërisë. Mesatarja e vendeve të BE-së për peshën që ka bujqësia në ekonomi është 2-4 deri në 5%. Nuk është e panjohur që pesha e bujqësisë në shtete të caktuara fillon të zbutet. Për Shqipërinë duhet të kuptojmë nga se vjen kjo rënie, dhe për një arsye mjaft të rëndësishme, pasi më tepër se 33% e popullsisë e zonave rurale është e angazhuar në bujqësi, krijon nevojë për adresimin e punësimit, sidomos të grave.
Shqipëria në vitet e fundit ka bërë një zhvillim të rëndësishëm në ekonominë e shkallës. Një nga problemet kryesore të bujqësisë në vend është fragmatizimi i lartë.
Po ju jap dy shembuj. Mesatarisht madhësia e fermave bujqësore është 1 ha dhe 36% e fermave blegtorale janë me 1 deri në 5 lopë. Kjo nuk quhet ekonomi shkalle. Duke qenë një ekonomi e vogël nuk krijon dot as kushtet thelbësore për sigurinë ushqimore, as nevojën për të implementuar teknologji që do ndikonte te ulja e kostos apo rritjen e konkurrueshmërisë së produkteve, për të dalë në tregun lokal dhe ndërkombëtar.
Por falë shumë investimeve dhe mbështetjeve të bëra vitet e fundit me grande financimi dhe kredi të buta, ekonomia e shkallës është rritur krahasuar me vitet e mëparshme.
Në 10 vitet e fundit janë gati 1 mijë investime, ku pjesa më e madhe të tyre është në ngritjen e 400 pikave të grumbullimit dhe përpunimit apo 120 agroturizme.
Në themel të një ekonomie bujqësore me problemet e fragmatizimit, janë të nevojshme ngritja e pikave të grumbullimit, përpunimit dhe agroturizme, pasi ekonomia e vogël funksionon në zinxhir me ekonominë qendrore, dhe bashkë shkojnë në mënyrë konsistente drejt tregjeve. Ky është zinxhir vlere dhe bashkimi i aktorëve duhet të jetë themel i politikave bujqësore dhe mbështetjes së fermerëve në vend.
Por nga ana tjetër nuk mund të mohojmë që këto 400 pika grumbullimit dhe përpunimi kanë realizuar gjysmë milion euro eksporte në fund të vitit të kaluar. Pa këto investime nuk do të arrinim të shkonim në tregje elitare”./Monitor