Sulmi ajror izraelit në Gaza vret 29 persona


Të paktën 29 palestinezë, përfshirë fëmijë, u vranë në një sulm ajror izraelit në një ndërtesë banimi shumëkatëshe në lindje të qytetit të Gazës, sipas një spitali lokal.

Agjencia e Mbrojtjes Civile e drejtuar nga Hamasi tha se avionët luftarakë shënjestruan zonën pranë xhamisë al-Hawashi në lagjen Shejaiya të martën në mëngjes.

Ushtria izraelite tha se kishte goditur një “terrorist të lartë të Hamasit”, i cili ishte përgjegjës për planifikimin dhe kryerjen e sulmeve në zonë.

Ushtria akuzoi gjithashtu Hamasin për shkelje të ligjit ndërkombëtar duke përdorur qëllimisht popullatën civile si mburoja njerëzore, shkruan BBC.

Video nga Shejaiya tregoi trupat e fëmijëve të vegjël të mbuluar nga pluhuri duke u nxjerrë nga rrënojat nga të afërmit e shqetësuar dhe punonjësit e shpëtimit.

Ayub Salim, 26 vjeç, i tha agjencisë së lajmeve AFP se zona përreth ndërtesës së banimit të goditur të martën në mëngjes ishte “e mbipopulluar me tenda, njerëz të zhvendosur dhe shtëpi”.

Hamasi tha gjithashtu se ushtria izraelite kishte “kryer një masakër të përgjakshme”.

Mijëra banorë të Shejaiya u larguan javën e kaluar pasi ushtria izraelite urdhëroi evakuimin e pjesës më të madhe të lagjes, duke thënë se po vepronte me forcë për të shkatërruar “infrastrukturën terroriste”.

Por banorët thanë se zona e goditur të mërkurën nuk mbulohej nga urdhri i evakuimit, kështu që shumë familje kishin mbetur atje.

Më herët të martën, Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi tha se të paktën 33 persona ishin vrarë në sulmet izraelite gjatë 24 orëve të mëparshme.

Kjo e çoi totalin e raportuar të të vrarëve që kur Izraeli rifilloi fushatën e tij ajrore dhe tokësore kundër Hamasit më 18 mars në 1,482.