Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) ka miratuar pranimin pjesërisht të kërkesës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (ILD), duke caktuar një ulje të pagës në masën 20% për një periudhë prej 3 muajsh, në kundërshtim me propozimin e ILD për një ulje më të madhe, 40% për një vit.
Po ashtu, KLP ka pranuar plotësisht kërkesën e ILD për largimin e tij nga detyra e kryetarit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë.
Hetimi disiplinor ndaj magjistratit Kledian Llaho nisi pas ankesave të një prokuroreje të këtij institucioni, e cila akuzoi drejtorin e prokurorisë për veprime dhe sjellje që përbëjnë shkelje disiplinore. Sipas hetimit të ILD-së, veprimet e K.Ll. janë konsideruar si mos përmbushje e detyrimeve të ligjit dhe kanë sjellë zvarritje të akteve procedurale, si dhe shkelje të përsëritura të rregullave të sjelljes ndaj kolegëve të tij.
Sipas konkluzioneve të ILD-së, veprimet e magjistratit K.Ll. kanë pasur një ndikim negativ në mjedisin e punës në Prokurorinë e Sarandës, duke krijuar mundësi për përsëritjen e ngjarjeve që dëmtojnë imazhin e institucionit të prokurorisë. “Shkelja disiplinore vërehet në raport, është kryer me dashje direkte dhe ekziston rreziku që ndikimi negativ i saj të shtrihet në zyren e prokurorisë në tërësi,” theksoi Inspektori i Lartë i Drejtësisë.
Përpara KLP-së, u theksua se magjistrati K.Ll. tashmë nuk ushtron më detyrën as si Drejtues i Prokurorisë, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur masën e pezullimit të tij nga detyra për shkak të akuzave për korrupsion pasiv ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Në kërkesën e ILD-së, u propozua ulje e pagës në masën 40% për një periudhë 1 vjeçare dhe largimi nga detyra e kryetarit të Prokurorisë, të dyja si masa disiplinore për shkeljet e konstatuara. KLP pranoi vetëm pjesërisht uljen e pagës, duke vendosur uljen e saj në masën 20% për tre muaj, ndërsa masën e largimit nga detyra e kryetarit e miratoi plotësisht.