Asetet e Blackrock u rritën në një vlerë të lartë rekord në tremujorin e parë, por shefi i menaxherit më të madh të aseteve në botë tha se ankthi ende po i mbizotëron tregjet.
Asetet e menaxhuara nga firma me bazë në Nju Jork u rritën në 11.58 trilionë dollarë nga 10.47 trilionë dollarë në fund të së njëjtës periudhë tre mujore një vit më parë dhe nga 11.55 trilionë dollarë në fund të vitit të kaluar, shkruan Reuters.
“Pasiguria dhe ankthi për të ardhmen e tregjeve dhe ekonomisë po mbizotërojnë çdo bisedë me klientët. Por ne e kemi parë këtë më parë, kur ka strumbulla të mëdha në botë, ndryshime të mëdha strukturore në treg. BlackRock qëndroi i sigurt dhe bëri disa nga hapat më të mëdhenj përpara,” tha shefi i BlackRock, Larry Fink.
BlackRock pa flukse hyrëse neto afatgjatë prej 83 miliardë dollarësh, nga 76 miliardë dollarë një vit më parë. Një pjesë e madhe e flukseve hyrëse afatgjata u kap nga produktet me të ardhura fikse, në 37.7 miliardë dollarë, nga 41.7 miliardë dollarë një vit më parë.
Flukset hyrëse të produkteve të aksioneve në tremujorin e parë qëndruan në 19.3 miliardë dollarë, nga 18.4 miliardë dollarë një vit më parë.
“BlackRock është ndër ofruesit më të mëdhenj të fondeve të obligacioneve, ndërkohë që ka gjithashtu avantazhe të konsiderueshme në madhësi në aksione, aktive alternative dhe produkte cash”, tha Kyle Sanders, analist i shërbimeve financiare për Edward Jones në një shënim.