Britania e Madhe shpall paketë ndihme ushtarake për Ukrainën


Mbretëria e Bashkuar ka shpallur një paketë të re mbështetjeje ushtarake për Ukrainën në vlerën e 450 milionë paundëve, në një përpjekje për të forcuar mbrojtjen e Kievit përballë agresionit rus. Lajmi vjen në prag të një takimi të rëndësishëm në Bruksel, ku përfaqësues nga 50 vende pritet të diskutojnë mbështetjen e mëtejshme për Ukrainën.

Sekretari britanik i Mbrojtjes, John Healey, tha se ky është një hap i rëndësishëm për të “grumbulluar presion” ndaj presidentit rus Vladimir Putin dhe për të ndalur pushtimin. “Ne duhet të rritemi për të penguar agresionin rus duke vazhduar të forcojmë mbrojtjen e Ukrainës,” deklaroi Healey.

Paketa përfshin, 250 milion paund për sisteme radarësh, mina antitank dhe qindra mijëra dronë, 160 milion paund për riparimin dhe mirëmbajtjen e automjeteve dhe pajisjeve të dorëzuara më parë nga Britania dhe financim shtesë nga Norvegjia, përmes Fondit Ndërkombëtar të udhëhequr nga Britania për Ukrainën

Sipas Healey, kjo mbështetje është thelbësore për ta vendosur Ukrainën “në pozitën më të fortë të mundshme”. Ai theksoi se viti 2025 do të jetë një moment kyç për luftën në Ukrainë dhe se “nuk mund të rrezikojmë paqen duke harruar luftën”.

Paketa e re vjen pas një sërë zotimesh të mëparshme ushtarake nga Britania e Madhe për të ndihmuar Ukrainën në përballjen me agresionin rus./BBC