Emisari i posaçëm i presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff, u takua sot në Shën Petersburg me presidentin rus Vladimir Putin, në përpjekje për të shtyrë përpara një armëpushim 30-ditor në luftën në Ukrainë dhe për të hapur rrugën për bisedime të mëtejshme për paqe, përcjell NY Times.
Ndërkohë në Bruksel, rreth 50 vende që mbështesin Ukrainën u mblodhën për të njoftuar një paketë të re ndihme ushtarake në vlerë mbi 21 miliardë euro. Ministrat evropianë të Mbrojtjes theksuan se Rusia nuk po jep asnjë shenjë për paqe, ndërsa premtuan më shumë mbështetje për mbrojtjen ajrore, dronë dhe pajisje për Ukrainën.
Ndërkohë që Ukraina ka pranuar propozimin e Trump për një armëpushim të përkohshëm, Putin ka refuzuar, duke kërkuar lehtësim të sanksioneve dhe garanci më të gjera nga Perëndimi. Takimi mes Witkoff dhe Putinit ishte i treti mes tyre, ndërsa Kremlini theksoi se bisedimet nuk pritet të sjellin ndryshime të menjëhershme, por janë pjesë e një përpjekjeje për të “normalizuar marrëdhëniet”.
Përfaqësuesit në Bruksel gjithashtu diskutuan mundësinë e krijimit të një “forcë sigurie” pas lufte për të ndihmuar në ruajtjen e paqes dhe për të frenuar kërcënimet e ardhshme nga Rusia. Ndërkohë, ndihma amerikane për Ukrainën mbetet ende e pranishme, megjithëse aleatët evropianë shprehin shqetësim për të ardhmen e saj.