Gjendet i copëtuar trupi i shkencëtarit italian në Kolumbi


Një shkencëtar italian është gjetur i vdekur në Kolumbi, sipas autoriteteve vendasa, pasi disa pjesë të trupit të njeriut u zbuluan të shtrira në një shteg në qytetin bregdetar të Santa Martas të dielën.

Policia e qytetit tha se hetimi i tyre tregoi se një byzylyk i gjetur në mbetjet trupore i përkiste Alessandro Coattit, një biolog i cili kohët e fundit kishte nisur një udhëtim nëpër Amerikën e Jugut. Më shumë mbetje u gjetën më vonë në dy vende të tjera përreth qytetit.

Coatti kishte qëndruar në një institucion në qytet dhe me sa duket kishte qenë duke vizituar zonën piktoreske të bregdetit Tayrona më 5 prill, tha policia. Por ajo që ka ndodhur me të mbetet objekt i një hetimi të menjëhershëm nga autoritetet.

“Tani për tani nuk ka asnjë hollësi për atë që ka ndodhur, është çështje nën hetim”, thuhet në informacionin e dhënë nga zyra e prokurorit kolumbian të enjten.

Thuhet gjithashtu se vetëm tre pjesë të trupit të tij janë gjetur, shkruan CNN.

Kryetari i bashkisë së Santa Martas, Carlos Pinedo Cuello është zotuar të gjejë përgjegjësit. Në një njoftim publik të hënën, qyteti e përshkroi vdekjen e Coattit si vrasje dhe njoftoi një shpërblim prej 50 milionë peso (afërsisht 11,300 dollarë amerikanë) për informacionet që do ndihmonte autoritetet kolumbiane.

Coatti kishte punuar në Londër për Shoqërinë Mbretërore të Biologjisë (RSB) për tetë vjet përpara se të largohej nga organizata në vitin 2024 për të udhëtuar në Amerikën e Jugut, tha organizata.

Kryeprokurori i Romës Francesco Lo Voi tha se Coatti kishte vizituar Perunë, Bolivinë dhe Ekuadorin përpara se të udhëtonte vetëm nëpër Kolumbi, sipas medias shtetërore italiane RAI.