I dërguari special i presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff, ka udhëtuar në Rusi për t’u takuar me presidentin Putin, ka raportuar Axios.
Nëse konfirmohet, takimi do të ishte i treti që kur Trump nisi bisetimet me Moskën pas betimit në janar.
Javën e kaluar, Witkoff ishte mes disa zyrtarëve të lartë të Shtëpisë së Bardhë për të pritur Kirill Dmitriev, ndihmësin e Putinit për bashkëpunimin ekonomik ndërkombëtar, i cili udhëtoi në Uashington për të vijuar diskutimet e nivelit të lartë.
Zëdhënësi i Kremlinit Peskov më vonë konfirmoi se Witkoff është në Rusi, duke premtuar përditësime të mëtejshme nëse Putin ka ndërmend ta takojë atë, shkruan Rt.
Witkoff u vlerësua më parë për negocimin e një shkëmbimi të të burgosurve me Rusinë, i cili përfshinte një takim personal me Putinin në shkurt. Shkëmbimi përfshinte kthimin e sipërmarrësit rus të kriptove, Aleksandr Vinnik dhe Marc Fogel, një ish-punonjës i ambasadës amerikane në Rusi dhe mësues në një shkollë anglo-amerikane në Moskë.
Witkoff ishte gjithashtu pjesë e delegacionit amerikan që mori pjesë në bisedimet e nivelit të lartë me zyrtarët rusë në Arabinë Saudite në mars. Diskutimet, të mbajtura në Riad, kishin në qendër konfliktin në Ukrainë.
Witkoff iu bashkua zyrtarëve të tjerë të lartë, duke përfshirë Sekretarin e Shtetit Marco Rubio dhe Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare, Mike Waltz, ndërsa delegacionet eksploruan shtigjet e mundshme drejt një armëpushimi dhe negociatave më të gjera të paqes.