Ilir Meta nga qelia: Fushata e PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore nisi me një energji të jashtëzakonshme


Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar nga qelia lidhur me nisjen zyrtare të fushatës elektorale të koalicionit “PD–Aleanca për Shqipërinë Madhështore”. Përmes një postimi në Facebook, Meta e përshkruan hapjen e fushatës si një “start të jashtëzakonshëm, plot nerv dhe energji”.

Sipas tij, mbrëmja e çeljes ka rikthyer shpresën tek qytetarët shqiptarë si asnjëherë më parë, duke i afruar më pranë një të ardhmeje që, siç shkruan ai, “e meritojnë më shumë se çdo komb tjetër”.

“Çdo shqiptar i ndershëm dhe patriot e gjeti veten në atë shesh gjigant zemrash,” shkruan Meta, ndërsa thekson se “fitorja është më pranë se kurrë”.

Në përfundim, ai u bën thirrje qytetarëve të votojnë për koalicionin “PD–Aleanca për Shqipërinë Madhështore” me numrin 1 në fletën e votimit, si dhe për kandidaturën e tij në Qarkun e Tiranës.