Komisioni Qendror i Zgjedhjeve zhvilloi sot një seancë publike ku mori vendime për disa shqyrtime administrative lidhur me denoncimet e paraqitura nga parti politike dhe organizata të ndryshme.
KQZ vendosi të pushojë shqyrtimin administrativ për denoncimet ndaj kryetarëve të bashkive Klos dhe Durrës, si dhe ndaj disa funksionarëve të tjerë vendorë, përfshirë Këshillin Bashkiak Klos dhe kryetarin e deleguar për Bashkinë Tiranë.
Ndërkohë, u vendos vijimi i hetimit administrativ për disa raste specifike, përfshirë denoncimet ndaj kryetarëve të bashkive Roskovec dhe Elbasan, si dhe një tjetër ndaj kryetarit të deleguar të Bashkisë Tiranë.
Për disa denoncime të tjera, përfshirë ato të “Drejtësisë Sociale” dhe Partisë Demokratike kundër ministrave dhe kryebashkiakëve, hetimi administrativ përfundoi, ndërsa vendimet do të shpallen në seancën e radhës. Ndërkohë, shqyrtimi i një denoncimi nga organizata “Qëndresa Qytetare” u shty për një datë tjetër.
Gjithashtu, KQZ u dha subjekteve zgjedhore një afat 24 orësh për të vendosur mbishkrimin ligjor mbi materialet propagandistike. Nëse ky detyrim nuk respektohet, Policia Bashkiake do të ndërhyjë për heqjen e tyre në disa qytete ku janë përfshirë: Partia Socialiste, Partia Socialdemokrate, Koalicioni “Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore”, “Koalicioni Euroatlantik” dhe “Partia Djathtas 1912”.
Në të njëjtën seancë, KQZ autorizoi 11 KZAZ që të krijojnë Komisione të Qendrave të Votimit të Posaçme brenda institucioneve të vuajtjes së dënimit në disa qarqe të vendit, si Durrës, Shkodër, Dibër, Gjirokastër, Vlorë, Fier, Elbasan, Berat dhe Kukës.