Kreu i ARRSH-së në SPAK, reagon Bardhi: Të gjithë drejtorët e Belindës janë për burg


Deputeti i PD Gazment Bardhi ka reaguar lidhur me paraqitjen në Prokurorinë e Posaçme ditën e sotme të drejtorit të ARRSH-së Gentian Gjyli.

Nëpërmjet një postimi, Bardhi shkruan se të gjithë drejtorët e ministres Belinda Balluku janë për në burg, përfshirë dhe atë vet.

“Janë të gjithë për burg drejtorët e Belindës, me në krye vetë atë! Është vetëm çështje kohe! Mandatin e deputetit nuk e duan për qytetarët! Nuk e duan që tu shërbejnë njerëzve. E duan thjesht për t’u mbrojtur nga drejtësia! Do dështojnë!”- shkruan Bardhi.

Vartësi i Belinda Ballukut, Gentian Gjyli u paraqit sot në SPAK, teksa u pyet nga prokurorët. Kujtojmë se Gjyli ka qenë edhe më herët në SPAK, ndërsa paraardhësi i tij, Evis Berberi, edhe ai vartës i ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ndodhet pas hekurave prej hetimeve të SPAK.

Gentian Gjyli mori postin e Berberit më 28 mars 2024 dhe ka qenë në qendër të raportimeve mediatike lidhur me procedura tenderuese të dyshimta të lidhura nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.