OpenAI, kompania zhvilluese e ChatGPT, ka ngritur një padi kundër Elon Musk, duke e akuzuar miliarderin për ngacmim dhe duke i kërkuar një gjykatësi federal në SHBA që ta ndalojë atë nga “çdo veprim tjetër të paligjshëm dhe të padrejtë” kundër kompanisë.
OpenAI u themelua në vitin 2015 nga vetë Musk dhe drejtori ekzekutiv i saj aktual, Sam Altman.
Megjithatë, marrëdhënia mes dy burrave është tensionuar prej vitesh për shkak të drejtimit që ka marrë kompania, e cila ka kaluar nga një strukturë jofitimprurëse në një model tradicional fitimprurës, shkruan The Guardian.
Musk paditi OpenAI rreth një vit më parë për planet e saj të ristrukturimit, duke e akuzuar kompaninë se kishte tradhtuar misionin e saj themelues duke vënë përfitimin financiar përpara interesit të njerëzimit. Ai e tërhoqi padinë në qershor, por paraqiti një të re në gusht.
Në shkurt të këtij viti, Musk udhëhoqi një grup investitorësh në një ofertë surprizë prej 97.4 miliardë dollarësh për të blerë OpenAI.
Altman e refuzoi menjëherë ofertën, duke shkruar në platformën X: “jo faleminderit, por ne do të blejmë Twitter-in për 9.74 miliardë dollarë nëse do ti.” Musk kishte blerë Twitter-in, tashmë i ribranduar si X, në vitin 2022 për 44 miliardë dollarë.
Në dokumentet e paraqitura këtë javë në një gjykatë në Kaliforni, OpenAI shkruan: “Nëpërmjet sulmeve mediatike, fushatave dashakeqe të transmetuara për më shumë se 200 milionë ndjekësit e Musk në rrjetin social që ai kontrollon, kërkesave të rreme për dokumente korporative, padive ngacmuese dhe një oferte fiktive për blerjen e aseteve të OpenAI, Musk ka përdorur çdo mjet të mundshëm për të dëmtuar OpenAI.”
Kompania i kërkon gjykatës ta ndalojë Musk-in nga sulmet e mëtejshme dhe gjithashtu që të mbahet përgjegjës për dëmet që ka shkaktuar deri më tani. Një gjyq me juri pritet të fillojë në pranverën e vitit 2026.
Musk u largua nga OpenAI në vitin 2018 dhe më pas themeloi kompaninë e vet të inteligjencës artificiale, xAI. Oferta për OpenAI këtë vit ishte mbështetur nga xAI dhe disa firma investimi, përfshirë një të drejtuar nga Joe Lonsdale, bashkëthemelues i kompanisë së teknologjisë së spiunazhit Palantir.
Shefi i Teslës ka akuzuar hapur OpenAI-n se ka braktisur misionin e saj fillestar bamirës duke krijuar një degë fitimprurëse për të mbledhur fonde nga investitorë të mëdhenj, si Microsoft.
OpenAI, e themeluar si një organizatë jofitimprurëse për të zhvilluar sigurt inteligjencën artificiale në të mirë të njerëzimit, ka argumentuar se modeli i ri është i nevojshëm për të zhvilluar sistemet më të mira të AI.
Muajin e kaluar, OpenAI mblodhi 40 miliardë dollarë nga një raund financimi ku morën pjesë SoftBank dhe investitorë të tjerë, duke e çuar vlerën e kompanisë në 300 miliardë dollarë.
Kompania tha se planifikon t’i përdorë këto fonde për të “shtyrë më tej kufijtë e kërkimeve në AI” dhe për të ndërtuar infrastrukturën kompjuterike të nevojshme për të ofruar mjete më të fuqishme për rreth 500 milionë përdoruesit që përdorin ChatGPT çdo javë.
OpenAI ka kaluar disa kriza të brendshme që nga momenti kur ChatGPT u bë viral në vitin 2022.
Në vitin 2023, bordi drejtues shkarkoi Altman-in për një gjoja “mungesë transparence në komunikim”.
Ai u rikthye më pak se një javë më vonë, pasi shumica e stafit kërcënuan me dorëheqje nëse ai nuk rikthehej në detyrë.