Rama: Më 12 Maj, Shqipëria do të gdhihet rozë – ngjyra e vajzave dhe e PS-së


 

Një ditë para hapjes së fushatës elektorale të PS, më 12 prill, kryeministri Edi Rama, në një takim me gratë e vajzat e PS, tha se mëngjesin e 12 majit, Shqipëria do të gdhihet rozë, ngjyra e vajzave por dhe e PS.

 “Mes dy palëve, unë zgjedh të parat gjithmonë, nënat, bijat dhe motrat. Sot në ditën e rënies së gongut të fushatës zgjedhore, nuk mund ta nisim këtë etapë veçse kështu me gratë dhe vajzat. Meritojnë të quhen komandot e armatës sonë fitimtare që koordinojnë veprimtaritë e të gjitha njësive të skuadrës jo vetëm brenda, por edhe jashtë Shqipërisë.

Ai flamur që ju keni qëndisur zonë me zonë, njësi më njësi, do ta mbulojë të gjithë hartën elektorale të 11 majit. Në mëngjesin e 12 majit Shqipëria do ngrihet e mbuluar me rozë, që është ngjyra e grave dhe vajzave, por edhe ngjyra e PS”- tha Rama.

Gjatë fjalës së tij në Forumin e Grave dhe Vajzave Socialiste 2030, Rama theksoi rëndësinë e përfshirjes aktive të grave në politikë, duke shpallur synimin që Partia Socialiste të anëtarësojë 50 mijë gra dhe vajza.

Rama vlerësoi rolin e grave në strukturat e PS-së, duke përmendur se tashmë 40% e anëtarësisë përbëhet nga gra, por theksoi se ky nuk është një cak i mjaftueshëm.

Ai vuri në dukje transformimin e Bashkisë së Kamzës, të cilën e cilësoi si një vatër të rëndësishme politike dhe organizative të PS-së.

Kryeministri u shpreh se, ndonëse shpesh Kamza perceptohet si një zonë e dominuar nga figurat tradicionale, “tonin ia japin vajzat dhe gratë.”

Ai përmendi me krenari kandidaturën më të re të partisë, një vajzë 20-vjeçare nga kjo bashki, duke e cilësuar Kamzën si një shembull frymëzues për të gjitha organizatat socialiste në vend.

Rama përmbylli fjalimin me një mesazh të qartë: “Kudo do ndizet drita e barazisë gjinore.”