Rama: Shqipëria është grua, suksesi drejt BE-së varet së pari nga nënat, motrat dhe bijat e vendit


Partia Socialiste ka dhënë sot sinjalin zyrtar për nisjen e fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, me një aktivitet të zhvilluar njëkohësisht në të 12 qarqet e vendit nën moton “Vajzat dhe gratë socialiste për Shqipërinë 2030”.

Kryeministri dhe kreu i PS-së, Edi Rama, u shpreh se ky organizim i veçantë shënon jo vetëm hapjen e garës elektorale, por edhe thekson rolin qendror që gratë dhe vajzat kanë në projektin politik të socialistëve për të ardhmen europiane të vendit.

“Sot ne jemi mbledhur në të 12 qarqet e vendit ku do të zhvillohen 12 garat për Kuvendin e ardhshëm të Shqipërisë, për të nisur zyrtarisht fushatën e 11 majit,” tha Rama në fjalën e tij.

Duke folur për rëndësinë e këtij takimi, Rama theksoi se vendimi për të mbledhur drejtueset dhe koordinatoret e çdo qarku kishte për qëllim të bashkonte “forcat komando” të forumit të gruas socialiste, duke vënë në dukje se gratë përbëjnë një shtyllë të palëkundur të mbështetjes politike për PS.

“Shqipëria është grua, Europa është grua dhe suksesi i përpjekjes për Shqipërinë 2030 në BE varet në radhë të parë nga nënat, motrat dhe bijat e Shqipërisë,” u shpreh Rama.

Sipas tij, Partia Socialiste gëzon një mbështetje domethënëse nga gratë dhe vajzat në të gjithë vendin. “Në rang kombëtar, 56% e zgjedhësve që na mbështesin janë gra dhe vajza. Në disa qarqe, kjo mbështetje shkon deri në 65%,” theksoi ai. “Tek burrat dhe djemtë, mbështetja është më e ulët se te gratë dhe vajzat.”

Rama u shpreh krenar për këtë përqindje të lartë mbështetjeje dhe shtoi se kjo tregon se PS është një forcë që përfaqëson vërtet barazinë gjinore, fuqizimin e grave dhe një të ardhme që ka në qendër përfshirjen e tyre aktive në politikë dhe vendimmarrje.

Ky aktivitet vjen në një moment kur fushata elektorale po merr formë dhe forcat politike po pozicionohen për të siguruar shumicën në Kuvend pas zgjedhjeve të majit. Për PS-në, duket se pjesëmarrja dhe përfaqësimi i grave do të jenë ndër prioritetet kryesore të kësaj gare.

“Shumë faleminderit dhe ndërkohë që do të përpiqem të rregullojnë defektin Teknik që unë besoj se ishte i mirëseardhur se ishte orëvajtja e fundit e syrit të keq. Të dashura nëna, motra, bija kudo ku jeni, sot jemi mbledhur njëkohësisht në 12 qarqert e vendit, ku po zhvillohen 12 garat e përballjes elektorale për kuvendin e ardhshëm për të nisur zyrtarisht fushatën e 11 majit. Dhe duke qenë se ishte e vetmja mënyrë për të lidhur bashkë të gjitha forcat komando të forumit të gruas menduam se më e udhës ishte të mblidheshin drejtuesit dhe koordinatoret e cdo qarku për të përcjellë nga këtu dhe bashkë me ju për të gjitha grtaë dhe vajzat një mesazh të drejpërdrejtë, Shqipëria është grua, Evropa është grua dhe suksesi i përpjekjes për Shqipërinë 2030 në BE varet në radhë të parë nga nënat, motrat dhe bijat e Shqipërisë. Nuk ka asgjë që mua më bën më shumë krenar për PS sesa fakti që kjo forcë politike mbështetet fuqimisht nga gratë dhe vajzat e Shqipërisë. PS e mbështesin në rang kombëtar 56 përqind e zgjedhësve gra dhe vajza ndërsa në qarqe të caktuara mbështetja shkon në 65 përqind. Kjo do të thotë se te burrat dhe djemtë mbështetja është më e ulët për ne sesa te gratë dhe vajzat dhe nëse te gratë dhe vajzat avantazhi ynë ndaj kënetës është i madh, te burrat është më i ngushtë. Mbështetjen kuptimplotë prekëse dhe inkurajuese të pjesës më të ndjeshme, më të të arsyeshme, sakrifikuese të popullit, gratë dhe vajzat nuk do ta ndërroja kurrë me mbështetjen e pjesës tjetër”, u shpreh Rama.