Një ngjarje tragjike goditi qytetin e Nju Jorkut të enjten, kur një helikopter turistik u nda në mes të ajrit dhe u rrëzua me kokë poshtë në lumin Hudson, duke shkaktuar vdekjen e të gjashtë personave në bord. Viktimat përfshijnë pilotin dhe një familje me origjinë nga Spanja, e përbërë nga dy prindërit dhe tre fëmijët e tyre.
Sipas burimeve të afërta me hetimin të cituara nga agjencia e lajmeve Associated Press, viktimat ishin Agustin Escobar, një ekzekutiv i kompanisë gjermane Siemens, bashkëshortja e tij Mercè Camprubí Montal, e cila punonte si menaxhere globale në një kompani të teknologjisë së energjisë, dhe tre fëmijët e tyre. Të gjashtë humbën jetën në vendngjarje.
Helikopteri ishte nisur nga një heliport në qendër të Nju Jorkut rreth orës 15:00 me orën lokale, dhe fluturimi zgjati më pak se 18 minuta. Të dhënat e radarit treguan se helikopteri fluturoi në veri përgjatë horizontit të Manhatanit, për t’u kthyer më pas drejt jugut, në drejtim të Statujës së Lirisë.
Pamjet dramatike të rrëzimit, të publikuara nga dëshmitarë, tregojnë momentin kur pjesë të helikopterit shkëputen në ajër, përpara se ai të bjerë në ujë, pranë vijës bregdetare të New Jersey./AP