Komandantja e bazës ushtarake amerikane në Groenlandë, një territor danez që më parë ka ngjallur interesin e Donald Trump, është shkarkuar nga detyra për shkak të kritikave ndaj agjendës së Uashingtonit për ishullin.
Kolonelja Susannah Meyers, e cila kishte shërbyer si komandante e bazës hapësinore Pituffik që nga korriku, u largua nga detyra pas raportimeve se ishte distancuar vetë dhe bazën nga kritikat e JD Vance ndaj Danimarkës dhe mbikëqyrjes së saj mbi territorin, gjatë një vizite të zv.presidentit amerikan në bazë, dy javë më parë, sipas The Guardian.
Forca Hapësinore e SHBA-ve deklaroi të enjten mbrëma: “Komandantët priten të respektojnë standardet më të larta të sjelljes, sidomos kur bëhet fjalë për ruajtjen e paanshmërisë në përmbushjen e detyrave të tyre.”
Ndonëse deklarata nuk jepte më shumë detaje, faqja amerikane military.com raportoi se Meyers kishte dërguar një email më 31 mars për të gjithë personelin në Pituffik, “me qëllim të dukshëm për të nxitur unitet mes pjesëtarëve të forcave ajrore dhe atyre të hapësirës, si dhe mes kanadezëve, danezëve dhe grenlandezëve që punojnë aty, pas paraqitjes së Vance”.
Gjatë vizitës së tij më 28 mars, JD Vance deklaroi në një konferencë për shtyp: “Mesazhi ynë për Danimarkën është shumë i thjeshtë: ju nuk keni bërë një punë të mirë për popullin e Groenlandës. Keni investuar pak tek ata dhe keni lënë pas dore arkitekturën e sigurisë në këtë tokë të jashtëzakonshme dhe të bukur.”
Në emailin e saj, të cituar nga military.com, Meyers kishte shkruar: “Nuk pretendoj të kuptoj politikën aktuale, por ajo që e di me siguri është se shqetësimet e administratës amerikane të shprehura nga zëvendëspresidenti Vance të premten nuk pasqyrojnë pozicionin e bazës hapësinore Pituffik.”
Zëdhënësi i Pentagonit, Sean Parnell, shkroi në rrjetin X: “Veprimet që minojnë zinxhirin komandues apo që sabotojnë agjendën e Presidentit Trump nuk do të tolerohen në Departamentin e Mbrojtjes.”